

Tiranë, 11 shkurt 2012, NOA Update – Ndërsa reshjet e dendura të dëborës nuk rreshtin së rëni në zonat malore të vendit në rrethet e Kukësit, Pukës e Dibrës emergjenca në këto zona të izoluara nga dëbora ka arritur në një pikë kritike, ku çdo gjë është mbuluar nga dëbora, siç e tregon edhe kjo foto e shkrepur sot në Kukës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Përtej pamjes së mrekullueshme për syrin e kujtdo që nuk është mësuar të jetojë në këto zona të thella, banorët e dhjetra komunave në veri të vendin gjenden në zgrip të emergjencës, ku dëbora ka ngrirë çdo mënyrë komunikimi rrugore duke i lënë pa ushqime e medikamentet e nevojshme në këtë mot të acartë.
Trashësia e dëborës ka mbërritur në zonat e thella në tri metra lartësi, duke pushtuar gjithçka dhe pamundësua lëvizjen.
Reshjet e dendura dhe stuhitë e dëborës kanë bllokuar rrugë të tëra, duke vështirësuar edhe mbërritjen e ndihmave nga ajri.
Në kushtet kur moti i acartë nuk pritet të përmirësohet dhe ndërsa reshjet e dendura pritet të vijojnë intensivisht edhe të paktën për disa ditë, gjenden të izoluara tërësisht nga dëbora e trashë komunat e Pukës, Dibrës, Kukësit, rrugë në Mirditë, disa komuna në Shkodër, si dhe disa komuna në Korçë.
Ministria e Transportit jep të dhënat më të fundit nga drejtoritë rajonale të rrugëve sa i përket situatës nëpër rrugët nacionale në qarqet e vendit:
D.R.Rr. Berat: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.
D.R.Rr. Dibër: Ka reshje të shumta bore, por era ka pushuar. Situata pothuajse nuk ka ndryshuar . Aksi kryesor Ura e Skurajt-Q.Bualli qarkullohet pa zinxhirë.
Qafë Bualli-Peshkopi, Qafë Bualli-Krastë qarkullohet me zinxhirë.
Peshkopi-Muhur –Arras qarkullohet me shumë vështirësi me zinxhirë.
Nga Komuna Arras – Qafë Draj rruga është e bllokuar, po punohet për hapjen e saj.
Aksi rrugor Ura e Cerenecit-Stëblevë në seg. Ura e Cerenecit- Ostren i Vogël është i kalueshëm me zinxhirë me shumë vështirësi.
Segmenti Ostren i Vogël-Stëblevë është i bllokuar pasi trashësia e borës ka kaluar 2 m. Po punohet për mbajtjen e situatës nën kontroll.
D.R.Rr. Durrës: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.
D.R.Rr. Elbasan: Gjatë natës ka patur reshje bore deri brenda në qytet.
Aksi kryesor Q.Krrabë (Km 29)-Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Q.Thanë është i kalueshëm pa probleme.
Aksi K/Labinot Fushë-Monument Bizë është hapur deri në Kollogjesh, segmenti në vazhdim është i bllokuar. Po punohet për ta rihapur, pasi gjatë natës ka patur stuhi bore. Aksi Librazhd-Stëblevë është i kalueshëm me zinxhirë deri në Lunik.
Segmenti Lunik deri në Stëblevë është hapur disa herë, por bllokohet për shkak të borës tek pjesa e sapohapur. Po punohet intensivisht me dy mjete.
D.R.Rr. Fier: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve
D.R.Rr. Gjirokastër: Vazhdojnë reshje të dendura shiu, por akset Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, Përmet-Çarshovë, Jorgucat-Q.Muzinë qarkullohen pa probleme.
D.R.Rr. Korçë: Vazhdojnë reshje të shumta bore, por puna për përmirësimin e situatës nuk është ndërprerë në asnjë çast.
Në aksin kryesor Qafë Thanë-Qafë Plloçë-Korçë-Kapshticë situata është normalizuar, qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë.
Aksi Korçë-Liqenas është hapur, qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Korçë-Q.Qarri-Ersekë-Leskovik, Korçë-Voskopojë qarkullohen me zinxhirë. Rruga e Dardhës dhe vazhdon të jetë e bllokuar si pasojë e stuhisë së erës.
D.R.Rr. Kukës: Në të gjithë qarkun vazhdojnë reshjet e borës. Në të gjithë akset qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Në autostradën dalje Tuneli-F.Dukagjin-Morinë qarkullohet me zinxhirë. Trashësia e borës deri 2.0m.
Në aksin Kukës – Draj Reç deri në Kolosjan qarkullohet me zinxhirë, segmenti në vazhdim është i bllokuar.
Në akset Kukës – Krumë, Plepa – Skatinë qarkullohet me vështirësi me zinxhirë. Në aksin B.Curri-Ura Fierzë qarkullohet gjithashtu me vështirësi me zinxhirë(duhet shumë kujdes pasi herë pas here ka rënie ortekësh).
Në akset e mëposhtëm qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë:
Krumë-Plepa, Plepa-Qafë Prush – Doganë, Qafë Mejdan – Tropojë e vjetër, Sopot – Qafë Morinë dhe Sopot – Ura e Bujanit. K/Domaj-Bushtricë është e bllokuar(nuk është në inventarin e D.P.Rr. por të Qarkut. Vazhdon puna pa ndërprerje për përmirësimin e situatës.
Akse të bllokuar: Kukës- Qafë Shllak, B.Curri – Sopot, B.Curi – Valbonë, Kryqëzim Domaj – Bushtricë, Kukës – Shishtavec ( prezencë ortekësh) Sopot – Skatinë.
Aksi Milot – Kalimash: Vazhdojnë reshjet e borës.
Në aksin Milot-Rrëshen-Hyrje Tuneli-Dalje Tuneli-Fushë Dukagjin, nga Rrësheni deri në Fushë Dukagjin qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë.
D.R.Rr. Lezhë: Në autostradën Milot-Rrëshen-Hyrje e Tunelit, nga Rrësheni – Hyrje Tunelit qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Aksi Rrëshen – Q.Benë qarkullohet me zinxhirë.
D.R.Rr. Shkodër: Për momentin në Shkodër, Mjedë, Murriqan, Velipojë dhe rrugën e Lezhës ka reshje shiu që ndikojnë pozitivisht për shkrirjen e shtresës së akullit.
Aksi Ura e Kirit-Qafë Laç-Q.Qelë qarkullohet me zinxhirë.
Qafa Laç – Koman me zinxhirë.
Malësi e Madhe: Vazhdojnë reshjet e borës. Aksi Dedaj-Razëm dhe Koplik-Bogë qarkullohen me zinxhirë.
Rrethi i Pukës: Është ulur intensiteti i reshjeve të borës.
Aksi Qafë Qelë-Pukë qarkullohet me zinxhirë deri tek Luf, segmenti në vazhdim i bllokuar prej efektit të erës. Trashësia e borës shkon deri në 3.0m.
Aksi Pukë – Fushë Arrëz i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë.( trash. e borës së re deri 70cm.)
Fushë Arrëz-Qafë Mali deri tek Gropat e bitumit, qarkullohet me zinxhirë, më tej i bllokuar.
Qafë Mali-Q.Shllak është i bllokuar. Po punohet në segmentin Lajthizë-Qafë Shllak që të bashkohet me Kukësin.
Aksi Qafë Mali-Fierzë, deri në Dardhë qarkullohet me zinxhirë me një kalim, segmenti në vazhdim është i bllokuar. Punohet intensivisht për përmirësimin e situatës.
Kryqëzimi Hadroj-Qafë Benë qarkullohet me zinxhirë. Trashësia e borës së re është 60 cm.
D.R.Rr. Tiranë: Në aksin Tiranë-Qafë Krrabë (Km. 29) qarkullohet pa probleme. Në segmentin Trau Dajt-Vilat Qeveritare-Qafë Mollë – Shën Mëri rekomandohen zinxhirët.
D.R.Rr. Vlorë: Vazhdojnë reshjet e dëborës, por puna për mbajtjen e situatës nën kontroll nuk është ndërprerë për asnjë moment. Qarkullimi i mjeteve bëhet pa zinxhirë. Edhe në Qafë Muzinë nuk ka probleme për qarkullimin.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





