

Tiranë, 11 shkurt 2012, NOA – Një ditë pas dhënies së dorëheqjes si zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu mori pjesë në themelimin e Këshillit të Aleancës Kuq e Zi në qarkun e Tiranës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
1500 delegatët e AK-së, zgjodhën këshillin nismëtar për degën e Tiranës.
Sipas AK-së kjo hap siparin e maratonës së krijimit të degëve të AK-së në çdo qytet deri në realizimin e Kuvendit Mbarëkombëtar, i cili do të mbahet në muajin maj të këtij viti.
Lideri i AK-së Kreshnik Spahiu premtoi se deri në muajin maj në Kuvendin Mbarëkombëtar, Tirana do të regjistrojë 100 mijë aktivistë, të cilët sipas tij do të jenë pjesë e nismës “1 milionë kuqezi në të gjithë trevat shqiptare”.
Kreshnik Spahiu deklaroi se “AK do t’i japë fund urrejtjes politike në vend, nën premtimin e realizimit të një kompromisi historik, i cili do të jetë çelësi i stabilitetit dhe paqes në rajon”.
Ai nënvizoi se pas muajit maj Aleanca Kuq e Zi do të shihet si alternativë e vetme nga qytetarët shqiptarë për të drejtuar vendin.
Spahiu tha se “AK ka prioritet për t’i dhënë shqiptarëve një Tiranë metropol si hapësira e mendimit intelektual dhe trurit të njerëzve të shkolluar dhe për këtë arsye rreth AK po mblidhen vlerat në Tiranën e metropolit të intelektualëve të kërcënuar dhe shantazhuar. AK ka për detyrë të vrasë frikën në një qytet ku sulltanët e politikës përgjojnë dhe survejojnë këdo për të mbajtur për dekada të tëra monopolin e politikës”, u shpreh Spahiu përpara në sallën e TKOB.
Sipas tij largimi i sulltanëve të politikës, të majtë dhe të djathtë, do t’i sjellin shqiptarëve gjakun e ri në politikë.
Ndër të tjera Kreshnik Spahiu reagoi ndaj akuzave të Kryetares se Parlamentit Jozefina Topalli, e cila e konsideroi Aleancën Kuq e Zi një kërcënim për vendin.
“Disa e quajnë Nexhmija e fundit, por ajo nuk e meriton këtë kompliment, pasi Nexhmija dilte njëherë në 5 muaj në ekranin e TVSH, ndërsa ajo ka hipotekuar TVSH-së, i cili mbahet me taksat e shqiptarëve duke kërcënuar dhe shantazhuar publikun e gjerë” tha Spahiu.
AK mendon se Tirana nuk ka njohur as në luftën e dytë botërore nuk ka njohur këtë nivel të lartë kriminaliteti dhe vrasjesh publike që bëhen rrugëve të këtij qytetit, andaj tha Spahiu.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





