Transmetuar më 10-02-2012, 11:11

"Ndërsa ambasadori Arvizu është krejt në sintoni me interesin publik për pavarësinë e institucioneve në këtë vend, për kufizimin e pushtetit të shumicave aktuale apo potenciale, lidhur me të ardhmen e këtyre institucioneve është me shumë rëndësi të kuptohet se ato janë po aq të rrezikuara në derën e PD-së sa dhe në derën e PS-së"…

Nga Henri Çili

Gjatë takimit me kreun e PS-së, Edi Rama, ambasadori amerikan Arvizu ka artikuluar hapur qëllimin e komunitetit ndërkombëtar dhe tëaleatëve amerikanë lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë, Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe shefit të ri të Shërbimeve Sekrete.

Është e qartë se nga profili i Presidentit të ri, nga mënyra e tij e zgjedhjes, nga procesi politik që do të prodhojë presidentin, do të varen pastaj dhe emërimet e tjera lidhur me institucionet e pavarura që u mbaron mandati së shpejti apo të të tjerave emërime që u vjen koha në një moment të dytë.

Duke artikuluar kështu impaktin e Presidentit të ri lidhur me ecurinë e institucioneve të pavarura, ambasadori Arvizu në fakt është vënë krejtësisht në përputhje me interesin publik sot në Shqipëri, i cili në forma apo përmes zërash të ndryshëm ka shprehur shqetësimin për impaktin që do të ketë një president i zgjedhur, ngushtësisht partiak, ose i ashtuquajturi “president sipas Kushtetutës”, që në fakt, në kushtet e aktuale të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, do të thotë president i shumicës në fuqi.

Arvizu, duke konturuar profilin e një Presidenti të ardhshëm të Republikës, në këto kushte i ka bërë jehonë, në fakt, jo vetëm shqetësimit imediat mbi potencialin e grumbullimit të pushtetit në duart e shumicës aktuale, por i ka bërë një jehonë edhe një debati të gjerë publik që prej ndryshimeve kushtetuese të 2008-s të Berishës dhe Ramës, dhe refuzimit të gjerë të opinionit publik të asaj kohe ndaj këtyre ndryshimeve.

Momenti erdhi, për të provuar se sa të rrezikshme ishin ato ndryshime, sa problem ato ishin dhe se çfarë dëmi i kanë bërë dhe mund të bëjnë më tej ato Republikës sonë. Ato ndryshime hileqare, të frymëzuara kryesisht nga deliri i Edi Ramës që po vinte në pushtet dhe se i donte të gjitha pushtetet për vete atë ditë që do të ishte Kryeministër apo kreu i mazhorancës, ndryshime të pranuara me një nënqeshje ironike nga Sali Berisha kundrejt zellit të rivalit të tij, rishtar në politikë, në fakt provuan një gjë: kush përpiqet t’i bëjë gropën tjetrit bie vetë brenda. Edi Rama ra vetë brenda në gropën që donte t’i bënte me ato ndryshime kushtetuese Ilir Metës dhe vetë Republikës.

Ndaj, ndërsa  me deklarimet e djeshme Arvizu vjen krejt në sintoni me interesin publik imediat të vendit, që është ‘decentralizimi’ i pushtetit që mund të grumbullojë shumica e aktuale e Sali Berishës, në rast se potencialisht zgjedh President “një nga drejtuesit e PD-së”, fatkeqësisht këtë prononcim e bën në derën e gabuar: te PS-ja e Edi Ramës.

Rama është i fundit që ka të drejtën morale të kundërshtojë Sali Berishën në qëllimin legjitim të këtij të fundit për të zgjedhur një “president sipas Kushtetutës”, pra një president me shumicë të thjeshtë. Sepse ai kështu e donte vetë dhe kështu do ta kishte bërë po të kishte ardhur vetë në pushtet. Po ashtu ideja e një presidenti nga opozita, jo vetëm është provokuese për shumicën, por është provokuese edhe për opinionin publik. Është simetria kokëposhtë e një presidenti nga shumica. Presidenti i ri nuk duhet të jetë as nga shumica, as nga qeveria. Duhet jetë mbi palët dhe përtej palëve politike dhe për këtë ka formula plot, të cilat i aplikojnë me sukses dhe Republika të ngjashme si ne dhe afër nesh, si Greqia dhe Italia, për shembull, që marrin nga ish-elita politike e vendit personalitete të spikatura.

Rama dhe PS-ja janë po aq të paragjykuar në lidhje me menaxhimin e këtyre institucioneve të pavarura, kur kanë qenë në pushtet apo tani në lojën politike opozitare. Si një pretendent për pushtet, ai e shpalli hapur që kishte të njëjtin vizion për këto institucione: instrumentalizimin e tyre. Që nga Presidenti ai e tha hapur se donte të zgjidhte një prej të vetëve e kështu me radhë. Merret me mend pastaj për institucionet e tjera që burojnë prej Presidentit. Po kështu në këto dy vite opozitë Edi Rama, përmes marrëveshjesh të fshehta apo mbështetjesh të hapura, ka strukturuar një axhendë politike me presidentin aktual Topi dhe prokuroren e përgjithshme Ina Rama, apo me shefin e Shërbimeve Sekrete, Shaqiri, duke politizuar në bashkëpunim me krerët e këtyre institucioneve aksionin dhe misionin e këtyre institucioneve që duhet të ishin të pavarura.

Ndërsa ambasadori Arvizu është krejt në sintoni me interesin publik për pavarësinë e institucioneve në këtë vend, për kufizimin e pushtetit të shumicave aktuale apo potenciale, lidhur me të ardhmen e këtyre institucioneve është me shumë rëndësi të kuptohet se ato janë po aq të rrezikuara në derën e PD-së sa dhe në derën e PS-së.

Qeveria dhe opozita, kandidate për qeverinë e ardhshme, më në fund duhet të kuptojnë që sovrani kur i zgjedh u jep mandatin vetëm për pushtetin ekzekutiv. Për pushtetet e tjera, për institucionet e pavarura, ka formula të tjera, ka bashkëveprim, ka negocim në faktorët e shoqërisë, ka mandate që duhet të respektohen e kështu me radhë.

Në këtë kuptim roli i partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve amerikanë në radhë të parë, është vital. Vetëm se mundësisht kjo jo në derën PD-së apo të PS-së, të cilat për nga natyra e gjërave janë të prirura për sa më shumë pushtet.

Një vajtje eventuale drejt institucioneve sa më të pavarura nuk do të vijë asnjëherë as nëpërmjet opozitës, as nëpërmjet qeverisë. Aq më pak nga dera e njërës prej tyre. Do të vijë nëpërmjet një presioni ndaj të gjitha palëve dhe negocimi me të gjitha palët. Por sidomos në një aleancë të përshtatshme me opinionin publik.

"Mapo"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit