

Durrës, 9 shkurt 2012, NOA – Policia e Durrësit identifikon dhe vë në pranga dy persona që kishin lidhje me vjedhjen e një pike karburanti tek Shkëmbi i Kavajës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ndalimi i dy adoleshentëve të dyshuar si autorë të vjedhjes u finalizua mbrëmjen e të mërkurës.
Kështu 16-vjeçari D.L., banues në lagjen nr. 13 në zonën e plazhit në Durrës dhe 17-vjeçari D.H., edhe ky banues në zonën e plazhit të Durrësit dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin si dhe me shtetasin B.Y., 15 vjeç, rreth orës 22.45 të datës 25 nëntorit 2011 nën kërcënimin e armës i kanë marrë shitësit të karburantit pranë Shkëmbit të Kavajës 50-vjeçarit G.Gj., një shumë parash si dhe një telefon celular.
Gjithashtu, të mërkurën uniformat blu të Durrësit kapën një shpërndarës droge dhe një person të dyshuar për vjedhje.
27-vjeçarit të arrestuar Denis Zeqa, banues në Kënetë, iu gjet një qese farmaceutike brenda së cilës kishte lëndë narkotike të llojit Canabis Sativa, në masën e 7.4 gramëve.
Policia e Durrësit arrestoi gjatë mbrëmjes së të mërkurës edhe 21 vjeçarin Drilon Lleshaj, banues ne lagjen nr. 14 Durrës, i dënuar me 3 muaj burg për vjedhje.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





