Transmetuar më 07-02-2012, 22:00

Tiranë, 7 shkurt 2012, NOA- Kushtet e këqija të motit bënë që të mblidhej mbrëmjen e sotme Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani.

Gjatë fjalës së tij Nishani tha se kjo mbledhje vjen prej motit të vështirë gjë që çoi ngritjen e shtabit qendror për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet dimërore, duke thënë se ky komitet do jetë 24 orë në gatishmëri dhe në kontakt me nevojat dhe emergjencat, në zbatim të një plani veprimi.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Ministri i Brendshëm tha se në krye të këtij operacioni do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile që do merret me shkëmbimin e informacionit me një sërë institucionesh lokale e qendrore.

“Policia Rrugore dhe njësitë e saj do të shtojnë masat e kontrollit, sidomos në zonat me rrezik të shtuar, të rritet gatishmëria e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në zonat e vështirësisë për nga lëvizishmëria apo komunikimi. Ky komitet ngarkon me detyra Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile për shpërndarjen e informacionit për situatën dhe për veprimet konkrete në terren, ndërsa çdo ditë do ketë komunikatë për situatën, ndërsa po përgatiten edhe rezervat ushqimore për tu shpërndarë”, u shpreh Nishani.

Ai tha se do të vihen në veprim 5 borëpastruese, ku 2 do të veprojnë në Rrugën e Kombit, 1 në aksin rrugor Qafë Thanë- Korçë- Kapshticë.

Sakaq një borëpastruese do të vihet në dispozicion për aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë dhe një për akset rrugore Shkodër- Pukë- Qafë Mali.

Sakaq duke iu drejtuar ministrave të tjerë të këtij komiteti, atij të Mbrojtjes, atij të Shëndetësisë, të Transportit Publik, Arsimit etj, Nishani ndau detyrat përkatëse ndërsa tha se është rritur puna dhe nëpër rrugë po hidhet skorje dhe kripë me synim hapjen e akseve kryesore.

Nishani theksoi se do vihen në interes të qytetarëve shqiptarë gjithë mjetet logjistike e njerëzore të Qeverisë, në mënyrë për t’iu gjendur pranë çdo individi që ka nevojë.

Më herët Ministria e Shëndetësisë ngriti qendra operacionale për menaxhimin e fatkeqësive, veçanërisht në zonat e bllokuara me dëborë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Vasili u shpreh se, “Kemi komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat në rrethe, dhe për këtë theksoj se sistemi shëndetësor në zonat e bllokuara është në gatishmëri. Kemi vënë në dispozicion paketa me medikamente gati për tu shpërndarë në rast nevoje, dhe mjekët tanë janë gjithmonë gati për të ardhur në ndihmë në rast të situatave emergjente”. Mësohet se grupi i punës do të jetë nën drejtimin e vetë kreut të shëndetësisë shqiptare i cili po mbikëqyr me vëmendje gjithë situatën nëpër zonat e bllokuara nga dëbora dhe akulli.

Situata e rrugëve në vend: Ja akset e bllokuara

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit në një komunikatë të mbrëmjes së sotme bëri një pasqyrë të situatës në të gjithë vendin, dhe zonat të cilat vijojnë të jenë të bllokuara.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në këtë pasqyrë aksi rrugor Ura e Skurajve-Burrel kalohet pa zinxhirë; Burrel-Qafë Bualli është i kalueshëm vende–vende me zinxhirë. Qafë Bualli- Ura e qytetit është i kalueshëm me zinxhirë, ndërsa në Bulqizë vazhdojnë stuhitë e borës dhe punohet nga firma kontraktore vazhdimisht për të mbajtur aksin të kalueshëm, por Ura e Qytetit-Ura e Topojanit-Peshkopi është i kalueshëm me zinxhirë.

Sakaq aksi rrugor Peshkopi – Muhurr – Qafë Draj është i kalueshëm me zinxhirë. Aksi rrugor Ura e Cerenecit-Stëblevë në segmentin Ura e Cerenecit- Ostren i Vogël është i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi, Ostren i Vogël-Stëblevë është i bllokuar, me trashësi dëbore mbi 2 metër.

Ndërsa pa probleme për qarkullimin e mjeteve vijojnë të jenë akset rrugore Qafë Krrabë (Km 29)-Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Qafë Thanë, ndërsa aksi rrugor Labinot Fushë- Monument Bizë është i kalueshëm deri në Qafë Rrenc, por segmenti në vazhdim është i bllokuar me trashësi dëbore prej 50cm.

Aksi Librazhd-Stëblevë qarkullohet me zinxhirë deri në Fushë Studë, pjesa në

vazhdim deri në Stëblevë rreth 2 kilometër është i bllokuar, ndërsa trashësia e dëborës shkon mbi 1 metër.

Në rrethin e Korçës, reshjet e dëborës të nisura rreth orës 04:00 të mëngjesit vazhdojnë ende të bien me intensitet më të ulët por të shoqëruar me erëra të forta.

Mësohet se janë kryer punime kryesisht për pastrimin e dëborës dhe kriposje në akset

Rrugore, por trashësia e borës varion 10cm -15 cm, me shtrirje në gjithë rajonin e

Korçes. Në vendet ku fryn erë e fortë trashësia varion 70cm-100 cm.

Segmentet më problematike janë Qafa e Qarrit në aksin rrugor Korçë-Qafë Qarri-

Erseke-Leskovik; segmenti Sovjan – Petrushë në aksin Korçë-Qafë Plloç si pasojë e erës e cila vazhdon të fryje ende duke sjellë dëbore në rrugë. Në rrugën e Dardhës km10, rruga është e bllokuar, trashësia e dëborës shkon mbi 1metër e sjellë në rrugë nga era e fortë e cila vazhdon të fryje ende.

Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në Qafë Plloçc- Cangonj, Voskop -Voskopojë. Në akset e tjera rrugore kryesore qarkullimi pa zinxhira si Qafë Thanë- Qafë Plloç, Zemblak-Dog.Goricë; Cangonj-Dog.Kapshtice; Maliq – Lozhan.

Në rrethin e Kukësit reshjet e borës kanë pushuar, por situata paraqitet e vështirë duke parë intensitetin e erës, e cila bën grumbullimin e borës në shumë segmente duke e bllokuar rrugën menjëherë edhe në vendet që sapo janë pastruar. Në autostradën dalje Tuneli-Fushë Dukagjin-Morinë qarkullohet me zinxhirë. Aksi Kukës- Qafë Shllak qarkullohet me zinxhirë.

Në aksin rrugor Kukës-Krumë qarkullohet me zinxhirë, ashtu si dhe aksi Kukës-Draj Reç, por aksi rrugor Krumë-Qafë Prush qarkullohet pa zinxhirë.

Mësohet se nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, ndërsa në Gjirokastër, aksi rrugor Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, Përmet-Çarshovë, Jorgucat-Q.Muzinë qarkullohet pa probleme.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit