Transmetuar më 06-02-2012, 18:47

Tiranë, 6 shkurt 2012, NOA- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, priti sot në takim zëvendës asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Çeleste A. Wallander si dhe kunderadmiral Mark C. Montgomery, të cilët ndodhen në vendin tonë në kuadër të një turi që po zhvillojnë në vendet e Ballkanit, kryesisht në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, gjatë fjalës së tij, ministri Imami, i falenderoi ata për të gjithë mbështetjen dhe suportin që SHBA ka dhënë dhe jep në drejtim të integrimit të plotë të Shqipërisë në NATO, si dhe për transformimin e modernizimin e Forcave tona të Armatosura.

Nga ana e saj Zv.asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, zonja Wallander, e vuri theksin në çështjen e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, në çështjet e reformave, buxhetit të mbrojtjes, si dhe në atë të procesit integrues. Ajo u shpreh mjaft e kënaqur se si kanë ecur procesi i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes dhe misionet, duke komplimentuar në mënyrë të veçantë angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit.

Një tjetër çështje mjaft e rëndësishme që u diskutua në këtë takim ishte edhe rëndësia e “Smart Defence”, për të cilën nga palët u theksua se, pavarësisht shtrëngimeve buxhetore, secili prej vendeve anëtare të NATO-s do të përballojë të njëjtat detyrime si më parë. Ndaj mbrojtjes kolektive dhe artikujve të A5-ës u dha mbështetja për politikat që po ndjek Shqipëria me misionet jashtë vendit.

Po sot, Zonja Wallander dhe kunderadmirali Mark C. Montgomery, u pritën edhe nga Shefi i Shtabit të Pëgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit