

Tiranë, 6 shkurt 2012, NOA – Ashtu siç është bërë zakon, Kryetari i Partisë Socialiste i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit Berisha për suksesin e modelit ekonomik të qeverisë shqiptare, duke e cilësuar këtë si një avaz tallës për ekonominë më të fortë në botë.
Komentet e tij Rama i ka bërë rishtas në blogun personal në rrjetin social në Twitter ku komentoi se “Vazhdon avazi tallës i ekonomisë më të fortë në botë! Por s’ka përgjigje për pyetjen: A është ulur a rritur kostoja e jetesës së familjeve? Me rroga e pensione që rriten një herë kur çmimet rriten dhjetë e njezet herë s’quhet sukses por rrënim ekonomik! Vetëm PS e shpëton ekonominë”, komentoi Rama.
Shefi i selisë rozë përmenti taksën progresive që propozon PS si një mënyrë e drejtë që çliron sipas tij 95 për qind të shqiptarëve nga taksat e larta, dhe ua kalon pagesën e tyre 5 për qidn të popullsisë që posedojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit.
“Vetëm PS thotë: Kush fiton më pak do paguajë më pak taksa dhe do blejë më shumë për familjen. Programi ynë çliron 95% të shqiptarëve. Ndërsa 5% e popullit që kanë më shumë se 1/2 e pasurisë shqiptare do paguajnë më shumë dhe do të fitojnë edhe më shumë se s’do ketë më monopole!”, shkroi kryetari i opozitës në Twitter.
Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat tha shënjestroi kreun e opozitës duke thënë se “Unë e kuptoj që ai Zotëria bën ciu ciu se po të dalë në media humbet vota. Ka një fantazi të shfrenuar, e vuan dhe e trishton deri në palcë suksesi ekonomik i vendit. Sepse Zotëria tha se ka 1 milion të papunë, dhe u tha shqiptarëve se qeveria po mashtron duke thënë se do të rrisë rrogat. Në atë kohë zotëria nuk bënte ‘ciu ciu’ po dilte në konferenca shtypi. Pavarësisht kësaj ky është realitet i pamohueshëm i ekonomisë shqiptare”, nënvizoi kryeministri Berisha.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





