Transmetuar më 05-02-2012, 22:12

Prishtinë, 5 shkurt 2012, NOA – Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm të takohet me Presidentin serb Boris Tadiç, në një takim ku pikë e diskutimit do të jetë vetëm njohja reciproke e të dyja republikave fqinje.

Kryeministri Thaçi në një intervistë për gazetën Express deklaroi se me Tadiç do të diskutojë vetëm për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Në takimin e mundshëm me presidentin Tadiç, unë kam vetëm një pikë të diskutimit – njohjen reciproke, të tjerat janë çështje që mund të rregullohen me raporte ndërshtetërore sikundër me të gjitha vendet fqinje. Por, ky takim do të ishte në shërbim të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, dhe perspektivës euroatlantike të dy shteteve tona dhe të mbarë rajonit”, theksoi Thaçi.

Ai nënvizoi më tej se “Takimi ynë nuk do të duhej të kuptohej si betejë për ta mundur njëri –tjetrin, Kosova Serbinë, ose e kundërta, sepse kjo betejë është mbyllur në qershor të vitit 1999 dhe rezultatin e di e gjithë bota. Ky takim eventual mund t’i shërbejë së ardhmes më të mirë të popujve dhe shteteve tona”, shtoi ai.

Mundësia e një takimi Thaçi –Tadiç është aktualizuar ditët e fundit pas deklarimeve të kreut të qeverisë së Kosovës se nuk ka ndonjë problem ta takojë Presidentin serb Boris Tadiç, pasi takime me të ka pasur edhe gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit