

Tiranë, 5 shkurt 2012, NOA/Armela Imeraj – Partia Socialiste deklaron se skema aktuale e pensioneve është e dështuar andaj ajo thekson se me ardhjen në pushtet do të reformojë sistemin e pensioneve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryetari i Grupit të Punës për Programin e PS-së për Çështjet Sociale Kosta Bajraba evidenton se problemet kryesore të sistemit aktual të pensioneve janë masa e ulët e përfitimit dhe raporti problematik gati falimentues mes kontribuesve dhe përfituesve.
“Problemet kryesore të sistemit të pensioneve aktualisht janë masa e ulët e përfitimit, raporti shumë problematik, raporti që është gati falimentues për sistemin aktual të pensioneve midis kontribuuesve dhe përfituesve që është në raportin 1 me 1. Pra sot një kontribuues mban një pensionist, në një kohë që raporti më minimal më i pranueshëm edhe nga Banka Botërore duhet të jetë 2 me 1”, thotë Kosta Bajraba.
Ai nënvizon se në programin e Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare” është parashikuar rritja e qendrueshmërisë së sistemit.
“Që ky sistem të bëhet i qendrueshëm, duhet të bëhet i qendrueshëm nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe ndryshimit të raportit të atyre që kontribuojnë për sistemin me ata që përfitojnë nga sistemi. Në programin e PS ky raport do të shkojë 2.5 me 1”, theksoi Bajraba.
Sipas tij, PS do të reformojë sistemin e pensioneve duke u nisur nga vizioni i saj për të ndërtuar një sistem, i cili do të nxjerrë pensionistët nga varfëria, me politika realiste dhe funksionale, që sipas PS-së do të rrisin të ardhurat reale të pensionistëve.
Sa i përket luftës kundër varfërisë, Bajraba nënvizoi se do të hartohen strategji për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria jo duke u dhënë lëmoshë, por duke u krijuar vende pune. “Nëse secili ka një punë atëherë lufta kundër varfërisë bëhet shumë më e lehtë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar problematikave të fëmijëve, Kryetari i Grupit të Punës për Programin e PS-së për Çështjet Sociale Kosta Bajraba tha se “programi i PS-së parashikon ndërhyrjen në dy drejtime edhe rikthimin e fëmijëve shqiptarë në shkollë, por edhe subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore nga fëmijët, familjet e të cilëve nuk janë në gjendje t’i paguajnë këto tekste”.
a.i/mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





