

Tiranë, 5 shkurt 2012, NOA – Kryetari i opozitës Edi Rama ironizoi deklaratat nga Mynihu të kryeministrit Sali Berisha mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe modelin e suksesshëm të qeverisjes Berisha, duke i cilësuar fjalët e kryeministrit si një turp i pamerituar për Shqipërinë.
Komentet e tij kryetari i Partisë Socialiste i bëri përmes blogut personal në rrjetin social Twitter, ku shkruan se “KM vijon ta bëjë qesharak vendin tonë duke eksportuar jashtë shtetit fjalimet e tij groteske për ekonominë. Turp i pamerituar për Shqipërinë!”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Duke iu referuar deklaratës së Berishës për rritjen ekonomike të Shqipërisë me 18 për qind, shefi i selisë rozë komenton kështu: “Flet në mes të Gjermanisë për 18 % rritje ekonomike e për një model suksesi imagjinar, që e bën Shqipërinë të duket si s’ka më keq nëpër botë!”, komenton Rama duke nënvizuar rishtas se shqiptarët nuk i meritojnë shfaqjet groteske e brutale të marrëzisë që është në pushtet, porse sipas tij meritojnë një qeveri të drejtë, që sipas Edi Ramës do të vijë me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe me vënien në jetë të programit politik të saj “Për një Rilindje Shqiptare”.
“Këto shfaqje brutale të marrëzisë në pushtet janë alarm për ndryshimin e domosdoshëm! Shqiptarët meritojnë një qeveri të denjë e të drejt”, komentoi Edi Rama në Twitter.
Këto komente erdhën pikërisht pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha në Mynih të Gjermanisë, ku ndodhet prej disa ditësh në Konferencën e 48-të të sigurisë.
“Ajo që spikat në këtë sfond, sërish dua të theksoj, është modeli i ekonomisë në Shqipëri, model i cili është bazuar kryekëput, para së gjithash, në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave. Faktikisht, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 për qind, rritje në distancë më të lartën në Evropë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksat të larta, i cili përjeton vështirësi serioze, dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin”, deklaroi kryeministri Berisha në Mynih.
Sipas kreut të qeverisë, duhet bërë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që ka Shqipëria dhe për të shtuar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





