Transmetuar më 05-02-2012, 07:55

"Ndaj mbështetja që ambasadori amerikan i jep Prokurorisë apo institucioneve të pavarura nuk do të thotë asgjë për besueshmërinë e tyre. Ato janë përballë së njëjtës sfidë për besueshmërinë e tyre në opinionin publik, për zbatimin e ligjit, apo për të qenë mbi palët në raport me detyrat që u njeh ligji dhe Kushtetuta"…

Nga Henri Çili

Që nga dalja e fundit në krah të Prokurores së Përgjithshme, një nga ditët e fundit të janarit, ambasadori Arvizu është rikthyer në qendër të vëmendjes, jo thjesht se është kudo prezent në media, por sepse në dy javët e fundit ka thënë, mbështetur dhe bërë pohime esenciale në lidhje me aktualen dhe të ardhmen e politikës shqiptare të momentit.

Qëndrimi më kryesor i cili ka shkaktuar debat, ka qenë fakti se sulmet ndaj Prokurorisë nga ana e ekzekutivit janë kualifikuar problematike dhe kanë dërguar erëra të ftohta në Ëashington, po të citojmë z. Arvizu fjalë për fjalë. Në fakt, deri këtu nuk kemi asgjë të ndryshme, asgjë të papritur nga mbështetja konstante që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë institucioneve të pavarura në Shqipëri, pavarësisht diskutueshmërisë së tyre, pavarësisht besimit të diskutueshëm të tyre në opinionin publik shqiptar, apo për gjendjen e luftës në të cilën këto institucione ndodhen me ekzekutivin apo me opozitën.

Deri këtu çështja është me gjithë mend parimore. Pse është e tillë? Sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në demokraci si kjo e jona, në një demokraci të re, kanë një tjetër regjistër kooperimi me palët politike, me qeverinë dhe opozitën, dhe një tjetër regjistër kooperimi me institucionet e pavarura.

Parimi amerikan i demokracisë është se përtej imperfeksioneve, përtej asaj që duket dhe nuk duket, dhe nga gjërat që nuk duken amerikanët dinë shumë më tepër se gjithë të tjerët, këto institucione duhet të mbështeten, sepse pa to e kemi të vështirë të zgjidhim krizat e ardhshme, e kemi të vështirë të menaxhojmë demokracinë ose funksionimin e jetës publike në një demokraci të re si Shqipëria.

Ndaj mbështetja që ambasadori amerikan i jep Prokurorisë apo institucioneve të pavarura nuk do të thotë asgjë për besueshmërinë e tyre. Ato janë përballë së njëjtës sfidë për besueshmërinë e tyre në opinionin publik, për zbatimin e ligjit, apo për të qenë mbi palët në raport me detyrat që u njeh ligji dhe Kushtetuta.

Mbështetja amerikane për Prokurorinë, dhe paralel me këtë, kritika për të gjithë ata që kritikojnë ose që nuk i mbështesin këto institucione, (lexo këtu kritikat e ashpra të rimarra nga z. Berisha), në të vërtetë nuk përfaqëson një ndryshim në mënyrën se si një ambasador amerikan operon në Shqipëri. Në fund të fundit kështu ka qenë gjithmonë. Gjithmonë ambasadorët amerikanë i kanë mbështetur institucionet e pavarura, pavarësisht fatit të këtyre institucioneve në javët apo muajt në vazhdim, në raport me lojën politike vendase, e cila është e prirur të zhvillohet pavarësisht kësaj mbështetjeje.

Ajo që ka rëndësi të thuhet në shtjellim të argumentit se pse qëndrimi i ambasadorit amerikan nuk ka ndryshuar, është fakti që institucione të kësaj natyre mbeten për t’u rishtjelluar në axhendën publike të muajve të ardhshëm, për të zgjidhur, apo për të vendosur në vend pretendimet e palëve në lidhje me funksionimin e tyre. Duke filluar nga Presidenti i Republikës, nga Prokurorja e Përgjithshme e kështu me radhë. Kjo do të thotë se është procesi politik ai që do të zgjidhë të ardhmen e statusit të krerëve të këtyre institucioneve.

Shkurt, ajo që duket sikur ka ndryshuar tek ambasadori amerikan, në fakt nuk është një ndryshim, është një vijim i parimit amerikan për të mbështetur institucionet e pavarura, për të punuar me to, si mënyra më efikase dhe e vetme për të administruar situatat e nesërme politike. Por problemi politik për të ardhmen e këtyre institucioneve të pavarura, për kontekstin në të cilin ato ndodhen, duke filluar nga Presidenti i Republikës, mbetet përsëri i hapur. Ai është pjesë e axhendës së muajve në vijim.

Këtu ndoshta, për principet e zgjidhjes politike të fatit të këtyre institucioneve, ia vlen të diskutojmë. Për shembull nuk është problem që kryeministri Berisha sulmon Prokuroren e Përgjithshme, pasi Kryeministri është palë dhe flet si i tillë. Është po aq normale që Berisha sulmon Prokurorinë, sa ç’është kur Edi Rama sulmon Gjykatën e Lartë për vendimin në lidhje me Ilir Metën, dhe kjo nuk u duhet marrë për kapital sepse janë palë politike. E rëndësishme është si do ta zgjidhë, çfarë do të bëjë politikisht Sali Berisha për të zgjidhur, qoftë edhe sipas asaj që thotë vetë, që ne nesër të kemi një Prokurori të pavarur.

A ka koherencë mes kritikës që Berisha i bën Prokurorisë aktuale dhe mënyrës si ai kërkon ta zgjidhë çështjen e Presidentit, duke folur për një President të shumicës së thjeshtë, ose një president që del nga PD. Këtu nuk ka koherencë dhe këtu është problemi i vërtetë për të cilin bien këmbanat e alarmit të z. Arvizu. Pra, përtej kritikës aktuale ose kontekstit aktual të marrëdhënieve midis ekzekutivit dhe gjyqësorit, apo Prokurorisë dhe Presidentit, cila është perspektiva e zgjidhjes politike të këtij problemi në verën e këtij viti. Në këtë kuptim, qëndrimi i Arvizusë, më shumë se sa rikonfirmon mbështetjen që Shtetet e Bashkuara u japin institucioneve të pavarura, është një kontribut në debatin publik, për mënyrën si do të korrigjohet situata kritike në këto institucione. Situatë për të cilën flet mazhoranca dhe për të cilën ajo ka të drejtë.

"Mapo"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit