

Vjenë, 4 shkurt 2012, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi mes shqiptarëve që jetojnë në Austri, se PS do t’i japë zgjidhje problemit shumëvjeçar të kthimit të pronës tek i zoti, duke i dhënë fund edhe termit ish-pronar, me të cilin etiketohen mijëra pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipëri, të cilëve iu konfiskua prona me ardhjen e sistemit monist dhe reformës së atëhershme agrare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryesocialisti Rama u takua me shqiptarë të shumtë në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë në “House of the European Union” ku në debatin me titull “EU-Between Me and You”, ai shpjegoi programin e ri të PS-së për një Rilindje Shqiptare.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi çështjen thelbësore të pronës, e mbetur një kalvar shumëvjeçar pa zgjidhje, kryetari i PS-së premtoi se kur PS të jetë në krye të qeverisjes së vendit do të marrë zgjidhje problemi i pronave dhe pronarëve të saj.
Rama përmendi këtu se në programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare, për Partinë Socialiste nuk ka ish-pronarë, por vetëm pronarë.
“Ne jemi shprehur shumë qartë për zgjidhjen e problemit të pronës duke filluar që nga fakti se ne nuk konsiderojmë “ish-pronarë”, por pronarë. Vetë koncepti ish-pronarë është një koncept, i cili për ne i takon të shkuarës. Ne jemi angazhuar solemnisht për zgjidhjen e problemit të pronës, sepse problemi i pronës dhe zgjidhja e tij nuk është as e majtë as e djathtë, por është një çështje që lidhet me drejtësinë mbi të cilën duhet të ngrihet e gjithë bashkëjetesa shoqërore”, siguroi Rama.
Ai u ndal edhe tek drejtësia duke nënvizuar se Partia Socialiste do të garantojë pavarësi të institucioneve dhe drejtësi për njerëzit e zakonshëm duke qeverisur me drejtësi.
Kryesocialisti komentoi faktet e reja të dala në dritë për 21 janarin pas ekspertizës së FBI-së, duke nënvizuar se “Nëse paskan zbatuar ligjin pse ndërrojnë tytat?! Pse fshijnë provat në serverin e kryeministrisë?! Dhe pse pengojnë në mënyrë konstante hetimin duke bërë presione barbare ndaj Prokurorisë dhe personalisht Prokurores së Përgjithshme?! Ajo që ne angazhohemi është të krijojmë të gjitha kushtet që drejtësia të jetë realisht e pavarur, që prokuroria të jetë realisht e pavarur, dhe që i gjithë sistemi gjyqësor të ketë mundësi të bëjë punën e tij”.
Rama tha se qeverisja socialiste do të jetë në krahun e njerëzve të zakonshëm dhe do të bëjë çmos për të qeverisur në mënyrë të drejtë.
“Duke mos e përdorur fuqinë e pushtetit për të bërë padrejtësi dhe tjetërsuar pasuri kombëtare në funksion të njerëzve të qeverisë apo të klientëve të qeverisë, si dhe për të tjetërsuar prona që i takojnë qytetarëve në funksion të ortakëve në biznes të pushtetarëve, për të trajtuar qeverinë si një pronë dhe si një oborr ku çdo gjë është e mundur, por për shqiptarët jashtë oborrit çdo gjë është e pamundur, ky është vizioni im”, tha Rama.
Ai i falenderoi shqiptarët në emigracion për kontributin e paçmuar që kanë dhënë e vazhdojnë të japin për mbijetesën e Shqipërisë në kushtet e keqqeverisjes.
Në këtë suazë rama u kërkoi shqiptarëve që jetojnë në Austri që të bashkohen për të dënuar me votë keqqeverisjen e pushtetit aktual.
“Unë do ju them vetëm një gjë, të gjithë keni një histori të jashtëzakonshme për të treguar në rast se bie radha për ta treguar. Të gjithë keni marrë rrugën pa asnjë mbështetje, pa e ditur se çfarë do të gjeni, por të shtyrë nga ambicia për të jetuar më mirë dhe sot jetoni më mirë falë ambicies suaj, falë vullnetit tuaj, falë sakrificave të jashtëzakonshme që keni bërë dhe bëni përditë. Jo vetëm kaq. Por, me punën tuaj nga një anë shkollohen të reja dhe të rinj në kushte optimale dhe nga ana tjetër jeton normalisht, në kushtet e mbijetesës, vetë Shqipëria”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti Edi Rama promovoi gjatë aktivitetit me shqiptarët në Austri edhe romanin e tij “Kurban”, si dhe shkroi autografë për lexuesit e tij shqiptarë që jetojnë e punojnë në Austri.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





