

Mynih, 4 shkurt 2012, NOA – Kryeministri Sali Berisha pati një takim të shkurtër me Sekretaren Amerikane të Shtetit Hilari Klinton gjatë punimeve të paradites në Konferencën e 48 të Sigurisë, e cila po mbahet në Mynih të Gjermanisë, ku folën për bashkëpunimin në fushën e sigurisë në rajon dhe botë, dhe mbi energjinë dhe burimet energjetike, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryefjalë e konferencës së Mynihut ishin ndërtimi i një komuniteti të sigurisë euroatlantike, mbi Amerikën, Evropën dhe Azisë, por edhe kriza financiare dhe pasojat e saj për sigurinë ndërkombëtare.
Gjatë sesionit të konferencës mbajtën fjalimet e tyre Sekretarja Amerikane e Shtetit Hilary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara Leon Panetta si dhe sekretari i NATO-së Anders Fogh Rassmusen, etj.
Gjatë konferencës së 48-të të Sigurisë, që po zhvillohet në Mynih, në datat 3 – 5 shkurt, merr pjesë dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga.
Në ditën e parë të punimeve, konferenca trajtoi dy temat “Roli i Gjermanisë në Evropë e në botë”, si dhe “Energjia, burimet dhe ambienti: si Parametra për një siguri të re”.
Kryeministri Berisha në përfundim të punimeve të ditës së parë të Konferencës, e cilësoi atë si më të rëndësishmen konferencë vjetore që bëhet në kuadrin e sigurisë euroatlantike.
Duke iu referuar faktit se në këtë konferencë marrin pjesë 70 delegacione të qeverive nga Europa, SHBA-të, Kanada dhe vende të tjera të botës, kryeministri tha se ishte me interes tema mbi energjinë dhe sigurinë.
“Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, por është një vend gjithashtu, të cilën duhet se do të kalojnë dhe gazsjellës të mëdhenj, që do të sjellin gazin Kaspik drejt Evropës. Ndaj dhe e konsiderova shumë të rëndësishme këtë seancë. Bisedova me faktorë kryesore siç është presidenti Azerbajxhanit, ku unë së shpejti do të kem një vizitë zyrtare në këtë vend mik, por dhe me faktorë dhe me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm në fushën e energjisë. Shqipëria dihet që është një vend me potenciale serioze në energjinë e rinovueshme dhe unë do t’ju them se një nga qëllimet më kryesore të miat është të takoj përfaqësues të biznesit të interesuar për investime në energjinë ujore, të erës, gjeotermike dhe të diellit, në një vend që i ofron të gjitha këto në sasira të konsiderueshme”, tha kryeministri duke nënvizuar se interes për burimet energjetike të Shqipërisë kishin shfaqur edhe biznesmenë londinezë.
Ndërkaq shefi i qeverisë u shpreh se gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Australisë kishte diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale dhe kishin rënë dakort për të punuar për shtrirjen e marrëdhënieve Shqipëri-Australi në të gjitha fushat.
“Ministri i Jashtëm i Australisë do të vizitojë në një kohë të afërt Shqipërinë në një vizitë historike për një ministër të jashtëm të një vendi mik, e cila do të jetë një nxitje e madhe për marrëdhëniet bilaterale që ka Shqipëria me këtë vend mik”, tha zoti Berisha.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut u drejtua nga diplomati gjerman Ëolfgang Ischinger, i cili ndër të tjera ka qenë përfaqësues i Bashkimit Evropian në trojkën për statusin e Kosovës, para shpalljes së pavarësisë së saj.
Në dy sesionet e sotme mbajtën fjalën Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Heydar Oglu Aliev, Presidenti Ukrainës Viktor Yanukovych, Presidenti i Bankës Botërore Robert B. Zoellick, Ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt, Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Thomas de Maiziere etj.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut, e themeluar në vitin 1962, ka një traditë të gjatë në diskutimin e politikave të sigurisë dhe është kthyer në evenimentin më të madh botëror në këtë fushë.
Çdo vit ajo bashkon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias, për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet bota, për të identifikuar sfidat e ardhshme të sigurisë dhe për të gjetur zgjidhjet e tyre.
Në këtë eveniment marrin pjesë Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Leon Panetta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton, kryeministri i Italisë, Mario Monti, ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, Presidenti i Polonisë, Presidenti i Gjeorgjisë, ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, President i Parlamentit Evropian, Martin Shultz, etj.
mit/NOA
Në foto: Kryeministri Sali Berisha dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit Hilari Klinton, gjatë Konferencës së 48-të të Mynihut, në Gjermani.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





