

Tiranë, 4 shkurt 2012, NOA/ Arjola Ymeraj- Një rrokadë ka ndodhur mesditën e sotme në postet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku kreu i saj Saimir Muça është zëvendësuar nga Bernard Çaushaj i cili deri në këto momente ishte drejtuesi i policisë së Korçës.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, ka qenë një mbledhje e mesditës së sotme e bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zv.ministri i Brendshëm Avenir Peka ajo që ka bërë edhe emërimin e këtyre ndryshimeve.
Mësohet se pas largimit nga posti i kryepolicit të Tiranës Saimir Muça do të jetë Kancelar i Akademisë së Rendit.
Sipas të dhënave paraprake thuhet se shkak për këtë rrokadë janë bërë dy vrasjet e dy ditëve më parë në kryeqytet ku ngeli e vrarë laborantja Eleni Basho në Shkozë si dhe 25 vjeçarja Megi Jokiçi gjatë një atentati të në zonën e “Komunës së Parisit”.
Sakaq është shkarkuar nga posti i nëndrejtorit të Policisë së Tiranës edhe Dorian Muça i cili është kaluar tashmë shefi i sektorit të Pastrimit të Parave dhe gjithashtu është larguar nga detyra edhe nëndrejtori tjetër Gjergji Jorgo i cili ka kaluar she në Drejtorinë e Forcës Lëvizëse Operacionale.
Mësohet se dy zëvendësit e Muçës do të zëvendësohen nga Arjan Kurti dhe Gazmend Hamitaj.
Ndërsa në krye të Policisë së Korçës është emëruar Ylli Metko i cili ka qenë deri në muajin shtator drejtues në Vlorë, ndërsa si kryepolic i Vlorës është emëruar Artan Cuku.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





