

Mynih, 3 shkurt 2012, NOA- I ndodhur në Mynih të Gjermanisë ku po merr pjesë në Konferencën mbi Sigurinë, Kryeministri Berisha takoi ministrin e Jashtëm të Australisë Kevin Rudd.
Gjatë takimit mes tyre bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për këtë takim, duke e konsideruar një mundësi të mirë për të shkëmbyer dhe ndarë qëndrime për raportet bilaterale mes Shqipërisë dhe Australisë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Kryeministri Berisha i bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria e drejtuar prej tij si dhe arritjeve që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit, si në planin ekonomik e institucional, ashtu dhe modernizimin e vendit dhe integrimin e tij në Evropë.
Kreu i Qeverisë theksoi se pavarësisht krizës financiare dhe ekonomike botërore dhe veçanërisht asaj në Eurozonë, Shqipëria ka vazhduar të njohë rritje ekonomike.
Ai i konsideroi reformat strukturore për liberalizimin e ekonomisë, të ndërmarra me kohë nga qeveria shqiptare si arsyen bazë që vendi i rezistoi kësaj krize të paprecedent.
Berisha paraqiti potencialet që Shqipëria ofron në shumë fusha me interes për investime, përfshirë sektorin energjetik, minerar, hidrokarburet, turizmin, etj.
Ai ftoi investitorët australianë që të shfrytëzojnë këto potenciale, në interesin më të mirë të përbashkët.
Kryeministri Berisha dhe ministri Rudd biseduan dhe ndanë gatishmërinë e plotë edhe për krijimin sa më shpejt të kornizës ligjore bilaterale të nevojshme për zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes.
Në këtë kuadër, Ministri Rudd, bëri me dije planin për të vizituar Shqipërinë në muajt e ardhshëm, i shoqëruar me përfaqësues të kompanive australiane të interesuara për të investuar në Shqipëri. Ai theksoi se Australia, si një vend mik, ofron një pikë të rëndësishme mbështetje në lidhje me vendet në zhvillim të shpejtë në Azi.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





