

Uashington, 3 shkurt 2012, NOA- Kryebashkiaku Lulzim Basha në kuadër të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha para biznesmenëve amerikanë se Tirana është një vend i mirë dhe me mundësi të shumta për të investuar.
Në vijim të vizitës në SHBA është takuar me Zëvendës – Ndihmës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Tregtisë për Europën dhe Azinë Jau Burgess. Në këtë takim u diskutua për mundësinë dhe mënyrat e mbështetjes financiare të investitorëve amerikanë, të cilët duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
“Exim Bank” dhe “OPIC”, (Korporata e Investimeve Private Amerikane), jashtë vendit janë konsideruar si dy mekanizma të kësaj mbështetje.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Basha bëri një prezantim të projekteve dhe vizionit të tij, për një Tiranë të zhvilluar të shekullit të 21. Nga ana e tij Burgess vlerësoi arritjet e Shqipërisë, veçanërisht në këto kohë te vështira për ekonomitë e zhvilluara botërore. Në mënyrë të veçantë, Burgess nënvizoi faktin, se Shqipëria renditet ndër të vetmet vende që vazhdon të ketë rritje ekonomike.
Sakaq Basha zhvilloi një takim edhe me Zv.presidenten ekzekutive të Korporatë së Investimeve Private Amerikane jashtë vendit, OPIC, Mimi Alemayehou. Themeluar si një Agjenci e Qeverisë së SHBA-ve në vitin 1971, OPIC mbështet kompanitë amerikane, në më shumë se 150 vende të botës.
Zonja Alemayehou u shpreh e gatshme për të asistuar kompanitë amerikane që duan të investojnë në Shqipëri. Deri tani nuk ka patur ndonjë projekt me Shqipërinë, por shprehu gadishmërinë e OPIC, për të shqyrtuar mundësitë e angazhimit dhe mbështetjes, në zbatimin e projekteve të rëndësishme, për jetën e një qyteti, të parashtruara nga Basha.
Në këtë takim u ra dakord për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës, për të garantuar mbështetjen financiare të kompanive amerikane, të interesuara për tu bërë pjesë e realizimit të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës.
Në vijim Kryebashkiaku zhvilloi një takim me biznesmenë amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff. Basha bëri të ditur se zhvillimi ekonomik, punësimi përmirësimi i cilësisë së jetës janë shtyllat mbi të cilat bazohet programi i tij, i cili nuk mund të realizohet pa dëgjimin e zërit të qytetarëve.
Lidhur me nismat e Bashkisë për të lehtësuar biznesin ai tha se, gjëja e parë sa i takon biznesit, në Këshillin Bashkiak ishte heqja e 60 taksave e tarifave, duke e çuar nga 83, në 23 listën e taksave e tarifave si dhe propozimi për përjashtimin për një vit nga taksat, për bizneset që punësojnë më shumë se 50 apo më shumë punonjës, shkurtimi me 13 % i taksës së famshme të infrastrukturës, në të gjithë industrinë e ndërtimit, që punëson 75 apo më tepër persona.
“Plani urbanistik i qytetit të Tiranës përfshin disa punë të rëndësishme publike dhe në këtë kërkoj vëmendjen tuaj (disa prej jush janë aktorë të rëndësishëm në këtë fushë). Në këtë drejtim, ne kërkojmë dhe kemi nevojë për vëmendjen dhe prezencën e kompanive të mëdha amerikane. Terminali i ri për autobusat, tramin, trenin do të ndërtohet në periferitë e qytetit. Do të ketë një konçesion tërësisht privat për 80 000 m2, me mundësi më për të ndërtuar tregje, hapësira publike dhe të gjelbërta, 2 linja trami, 9 km secila lindje – perëndim dhe veri jug, për të cilat jemi duke diskutuar me OPIC këtu, bankat amerikane dhe banka të tjera europiane, mundësinë e dhënies me konçesion”, u shpreh Basha.
Në vijim ai ftoi biznesemenët ta shohin Tiranën, si mundësi të mirë për të shtrirë investimet e tyre, duke i garantuar se Bashkia e Tiranës është e gatshme të ndërmarrë çdo masë, për të garantuar suksesin e çdo investitori.
Presidenti i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff u shpreh se, “Të gjithë ne që jemi këtu kemi përgjegjësi për të bërë dy gjëra, së pari për të asistuar në situatë makro, për të gjitha çështjet e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së por edhe për situata të tjera që kanë të bëjnë me biznesin, për të ndihmuar sa më shumë Shqipërinë dhe njerëzit atje”.
a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





