Transmetuar më 02-02-2012, 20:04

Tiranë, 2 shkurt 2012, NOA/Arjola Ymeraj- (Update) Ishte nisur ashtu si përditë për tu kthyer në shtëpi, pasi kishte mbyllur farmacinë e saj, por 3 plumba pistolete i kanë ndalur rrugën vetëm 30 metra nga shtëpia duke mos e lejuar të përqafojë fëmijën e saj që e priste në shtëpi.

Kështu ndodhi me 35 vjeçaren Eleni Basho e cila u ekzekutua mbrëmjen e sotme në Shkozë të Tiranës në mënyrë të mistershme.

Burime zyrtare nga policia konfirmojnë për agjencinë e lajmeve NOA.al, se vrasja e farmacistes ka ndodhur në një rrugicë të errët fare pranë banesës së saj, por që askush nuk di të thotë se kush janë autorët dhe as arsyet që çuan në vdekjen e saj.

U përfol si krim brenda familjes, por kjo pistë u hodh poshtë nga policia e familjarët, jo vetëm sepse Eleni nuk u vra në shtëpi por në rrugë, por edhe si i shoqi i saj ndodhej në punë në kohën e krimit.

Nga ana e policisë e cila mbërriti në vendngjarje u sekuestrua çanta që 35 vjeçarja mbante me vete si dhe çdo provë e mundshme që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.

Trupi u viktimës u dërgua në morgun e Tiranës, edhe pse fillimisht u nis drejt spitalit, rruga e dytë për këtë mbrëmje e Elenit u pre sërish në mes, pasi dha shpirt pa arritur të marrë ndihmën e bluzave të bardha.

Ngjarja e cila nuk ka asnjë pistë të qartë ka bërë që uniformat blu të shtrijnë pistat e hetimit në shumë drejtime, ndërsa dyshohet se kanë qenë dy vetë që e kanë ndjekur të ndjerën që nga farmacia e saj deri në momentin e pritës në errësirë, ku dhe i kanë shkrehur plumbat mbi trup.

a.y/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit