

Uashington, 2 shkurt 2012, NOA – Ish-nënsekretari amerikan i Shtetit, aktualisht profesor i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në “Harvard Kennedy School”, Nicholas Burns deklaroi se hapi i parë elementar që duhet të ndërmarrë Serbia për t’u integruar në BE është që të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
“Do të ishte e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur”, tha Burns në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ish-nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns theksoi se është positive që Kosova dhe Serbia të bisedojnë mes tyre.
“Kjo gjithmonë është një gjë e mirë, duke marrë parasysh historinë tragjike midis dy palëve, është gjithmonë mirë që të përkushtohen për zgjidhje paqësore mbi cilatdo dallime që ekzistojnë mes tyre. Megjithatë, mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur. Mua kjo më duket si hapi i parë elementar që duhet të ndërmerret”, tha Burns.
Ish-zv/sekretari amerikan i shtetit nënvizoi se nëse Serbia dëshiron të ketë të ardhme në Bashkimin Evropian dhe në NATO – atëherë ajo duhet ta pajtojë vehten me faktin se Kosova është e pavarur dhe me faktin se çfarëdo dallimi që ekziston midis dy vendeve, duhet të adresohet me mjete paqësore, negociata, kompromise dhe assesi me kërcënime.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





