Transmetuar më 02-02-2012, 14:43

Tiranë, 2 shkurt 2012, NOA – Ambasadori i Prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi vizitoi sot pjesëtarët e komunitetit që janë strehuar prej dy ditësh në mjediset e institucionit të Avokatit të Popullit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ambasadori Sequi në një prononcim për mediat pas takimit me Avokatin e Popullit Igli Totozani deklaroi se Bashkimi Europian i jep një rëndësi të madhe përfshirjes së komunitetit rom, duke kujtuar se mbështetja dhe përfshirja e romëve është një nga 12 rekoamndimet kyç për marrjen e satusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria.

“Unë sot nënshkruajta një marrëveshje financiare Shqipëri-BE në shifrën 82 milion euro dhe, 1.5 milion euro janë për këtë komunitet. Kjo është arsyeja pse BE i jep një rëndësi të madhe përfshirjes së komunitetit rom. 1 nga 12 rekomandimet e BE-së ka të bëjë me përshfirjen e romëve. Përkushtimi ynë vërtetohet, pasi në dhjetor të vitit të shkuar BE ka bërë një seminar me Shqipërinë për përfshirjen e komunitetit rom. Ndaj jam këtu sot për të shprehur mbështetje ndaj Avokatit të Popullit dhe mbështetjen e BE-së për komunitetin rom”, deklaroi ambasadori i BE-së.

Ambasadori i BE-së Ettore Sequi shprehu besimin se insitucionet shqiptare do ta zgjidhin shpejt këtë problem.

“Sot pas nënshkrimit të marrëveshjes financiare mes Shqipërisë e BE-së për këtë vit, fola me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera dhe ai më siguroi se po merret në mënyrë urgjente me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Unë kam besim se kjo do të zgjidhet në të mirën e të gjithëve”, tha Sequi, i cili bëri me dije se zyra e BE-së në Tiranë solli ilaçe dhe ushqime veçanërisht për fëmijët romë, që strehohen pranë institucionit të Avokatit të Popullit.

Vetë, Avokati i Popullit, Igli Totozani u shpreh për mediat se duhet gjetur një zgjidhje përfundimtare për strehimin e pjesëtarëve të komunitetit rom të mbetur në qiell të hapur.

mit/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit