Transmetuar më 02-02-2012, 13:44

EKSKLUZIVE/Avionët e linjave Lubjanë-Prishtinë dhe Prishtinë-Shkup “zbarkojnë” në Shqipëri

Tiranë, 2 Shkurt 2012 NOA – Moti i keq shënon dhe rastet e para të jashtëzakonshme në vendin tonë. Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë veriun e Shqipërisë dhe Kosovën kanë shkaktuar avari në linjat ajrore. Burime aeroportuale thanë për NOA.al se pak orë më parë dy avionë kanë bërë ulje të detyruar në aeroportin e Rinasit.

Që të dy avionët i përkasin linjave ajrore që lidhin kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën me qytete të tjera. Mësohet se avioni i parë që ka bërë ulje të detyrueshme për shkak të rrymave ajrore jo të favorshme ishte ai i linjës Lubjanë-Prishtinë dhe i dyti ishte nisur nga Prishtina në drejtim të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup.

Avionët kanë kërkuar leje për t’u ulur në Rinas, pasi udhëtimi ishte i pamundur në të tilla kushte atmosferike. Pilotët kanë arritur të ulin avionët e linjës së pasagjerëve njëri pas tjetrit, të asistuar nga kulla e kontrollit të Rinasit.

Sipas të njëjtave burime, pasagjerët që udhëtonin në këta avionë janë përballur disa minuta me tmerrin në lartësi. Por, pasi kanë zbritur në tokë, janë vizituar dhe rezulton që fatmirësisht janë në gjendje të mirë dhe kanë kaluar pak kohë në ambientet e tranzitit. Pasagjerët janë larguar me të njëjtët avionë, pasi është marrë sinjalizimi për përmirësimin e kushteve klimaterike në aeroportet e Prishtinës në Kosovë dhe Shkupit në Maqedoni. Në aeroportin Nënë Tereza, fluturimet kanë vijuar normalisht gjatë ditës së sotme. Burimet sqaruan se autoritet aeroportuale po mbajnë kontakte me kolegët e aeroporteve të rajonit dhe më gjerë për informacionet rreth kushteve klimaterike.

f.b/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit