

Tiranë, 2 Shkurt 2012 NOA – Autoritetet hetimore kanë nisur procedim penal zyrtarisht, për punonjës të kompanisë çeke të Shpërndarjes së Energjisë CEZ, për veprime arbitrare në faturimin e energjisë elektrike. Ata po hetohen bazuar në nenin e Kodit Penal që bën fjalë për shpërdorim detyre dhe rrezikojnë sipas ligjit, dënimin me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë deri në një milion lekë.
Ka qenë një qytetare e radhës e cila ka hasur në veprime arbitrare sipas saj me faturimet që është ankuar. Por ndryshe nga qytetarë të tjerë që janë ankuar në zyrat e CEZ dhe janë mjaftuar me kaq, ndonëse shumë prej tyre ankohen se nuk kanë gjetur zgjidhje, kjo qytetare ka vendosur t’i drejtohet drejtësisë.
Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se shtetasja J.C., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, ka bërë kallëzim për veprime arbitrare në faturimin e energjisë elektrike.
Të njëjtat burime pohuan se dy ditë më parë u dërguan materialet hetimore, për fillimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësve të CEZ Tiranë.
LEXONI GJITHASHTU: Një bankë private paditet në Tiranë për abuzim me depozitat e klientit
Vepra penale që po hetohet është ajo që lidhet me nenin 248 të Kodit Penal i cili thotë: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”.
e.t/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





