

Tiranë, 2 shkurt 2012, NOA Update – Kuvendi i Shqipërisë votoi sot në seancën plenare heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare duke i dhënë kështu autorizim Prokurorisë të hetojë mbi dyshimet e ngritura ndaj tre deputetëve, si organizatorë të tubimeve të paligjshme, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kështu me votim të fshehtë Kuvendi votoi me 118 voto pro, 8 kundër dhe 2 abstenim për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Taulant Balla.
Heqja e imunitetit të deputetit të PS-së Tom Doshi u votua me 116 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit votuan me 107 vota pro, 19 vota kundër dhe 1 abstenim heqjen e imunitetit të deputetit socialist Besnik Bare.
Përpara heqjes së imunitetit deputetët socialistë shprehën gatishmërinë e tyre për t’u hetuar nga Prokuroria për demonstratën e 21 janarit, duke nënvizuar se vrasësit e qytetarëve duhet të kërkohen në kryeministri.
Deputeti Taulant Balla u shpreh më herët se imuniteti i tij nuk përbën asnjë vlerë përballë zbardhjes së ngjarjeve të 21 Janarit, duke deklaruar se ai në 21 janar ndodhej në bulevard në protestë kundër kryeministrit dhe pushtetit të korrupsionit.
“Berisha merre këtë copë letër, nuk e duam më të na e kthesh, rëndësi ka të zbardhen ngjarjet e 21 janarit. Hiqeni imunitetin, votoni pro tij. Unë e di mirë dhe qytetarët e dinë që maskarenjtë kujtohen me turp dhe nuk harrohen kurrë”, tha Balla.
Ndërsa deputeti i PS-së Tom Doshi do të akuzonte nga foltorja e Kuvendit se “E vërteta ka dalë hapur, vrasësi i 21 janarit është Sali Berisha”.
Tom Doshi akuzoi direkt kryeministrin se ka vrarë dhe ushtruar presion e terror për të blerë dëshmitarë të rremë.
Doshi e cilësoi kryeministrin si frikacak dhe të pabesë që arrin të vrasë popullin e vet vetëm pse proteston për të drejtat e tij.
Edhe deputeti tjetër i PS-së Besnik Bare akuzoi se organizatorët e dhunës në protestën e 21 janarit janë në kryeministri.
Ai apeloi se Kuvendi duhej t’i hiqte imunitetin kryeministrit Sali Berisha. “Kryeminstri Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha duhet të ishin këtu dhe t’u hiqej imuniteti”, tha Bare.
Seanca plenare është përfshirë në debate dhe akuza të ndërsjellta që kanë për kryefjalë demonstratën e 21 janarit. mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





