

Prishtinë, 2 shkurt 2012 NOA/ Rid Bulku – Nga muaji në vazhdim kryeministri Thaçi por edhe të gjithë ministrat dhe zyrtarët e tjerë të kabinetit të tij nuk do të marrin më para për shlyerje pagesë qiraje, fonde që i merrnin rregullisht çdo muaj prej shtatë vjetësh.
Këtë fakt e komunikoi zyrtarisht kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e radhës ku konfirmoi se Qeveria ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit nr. 9/131 i datës 1 shkurt 2005.
Ky vendim që u shfuqizua, ishte për kompensimin e shpenzimeve në emër të qirasë së banimit në shumë prej 250 euro për Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe këshilltarët e lartë politikë.
Në këtë mënyrë, buxhetit të shtetit i kursehen çdo vit të paktën 300 mijë euro në vit.
Mesa duket pas shtatë vjetësh, ministrat dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së Thaçit, janë bërë me shtëpi dhe këtë duhet ta ketë konstatuar dhe vetë kryeministri duke ua hequr këtë racion të përmuajshëm që merrnin nga paratë e taksapaguesve.
r.b/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





