

Tiranë, 1 shkurt 2012, NOA/ Irma Toptani – Duke i bërë ftesë shqiptarëve të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013 mazhorancën që ai drejton, Kryetari i Qeverisë Sali Berisha lajmëroi se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të miratohet programi ekonomik fiskal për dy vitet e para të mandatit të ri qeverisës, 2012-2014, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjatë fjalës së hapur për mediat, kryeministri Berisha theksoi se në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët do të kenë shansin e madh të votojnë për modelin qeverisës të mazhorancës aktuale, që sipas zotit Berisha parashikon rritje rrogash dhe pensionesh.
“Natyrisht kjo nëse duan shqiptarët. 2013-a po afron dhe qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, i cili sërish parashikon rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve të tyre, dhe optimalizim të plotë të treguesve makroekonomikë. Parashikohet jo rritje e taksave por lehtësira të tjera progresive”, theksoi kryeministri.
Ai shigjetoi kundërshtarin e tij politik Edi Rama, që sipas kryeministrit sulmet me taksën marksiste i motivon mbi inate personale.
“Dua t’ju informoj një të dhënë, se ky sulm që bën shoku Rama me taksën marksiste te fidelët e tij, është i tëri i motivuar nga ndjenjat personale, inate personale dhe atavizma të klithmës së të parëve”, akuzoi kryeministri.
Kryeministri tha se statistikat faktojnë se 40 për qind e vendeve të punës janë krijuar nga bizneset, andaj argumentoi se vendosja e taksës marksiste është një marrëzi tjetër e Ramës.
Shefi i qeverisë duke iu kundërpërgjigjur akuzave të kreut të opozitës nënvizoi se në programin e dy viteve të para të mandatit që vjen, nuk parashikohet rritje e taksave, por rritje e rrogave dhe pensioneve, si edhe ulja e papunësisë.
“Ky njeri ka lindur për të rrënuar veten e tij, se kalon nga marrëzia në marrëzi, nga 1 milion të papunë në Shqipëri tek taksa marksiste. Le t’i lëmë zotit Rama modelin e marksizmit dhe të vijojmë me modelin tonë të lirisë për një ekonomi të qëndrueshme”, tha kryeministri. Vijon…
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





