

Shkup, 17 janar 2012, NOA – Nga Tirana në Prishtinë e në Shkup, kudo ku jetojnë shqiptarë sot përkujtohet përvjetori i vdekjes së heroit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, raporton agjencia lajmeve NOA.al.
Jo më kot një ditë e shënuar si kjo për shqiptarët si komb kudo që ndodhen ka vlejtur që në tre kryeqytetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë të nisin aktivitetet edhe në kuadër të festimeve të ditëlindjes së 100-të të Pavarësisë së kombit shqiptar dhe Ditës së Flamurit Kuq e Zi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ndodhet në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup në këtë përvjetor të vdekjes së Skënderbeut, ku është i ftuari i nderit në vendosjen e gurit të themelit në sheshin Skënderbej të Shkupit, sivëlla i sheshit Skënderbej të Tiranës.
Aktiviteti qendror i kësaj dite do të jetë sot vendosja e gurthemelit në sheshin Skënderbeu, që ndodhet pranë Çarshisë e Vjetër të Shkupit.
Gjatë ceremonisë që do të organizohet nga komuna e Çairit sikundër është mbajtur tradicionalisht, do të shënohet edhe Flaka e janarit, për nder të përkujtimit të vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, 30 vite më parë, një datë që përkon edhe me 30 vjetorin e organizimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila ishte bartëse e aktiviteteve politike e më pas ushtarake dhe nismëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, pjesëtar i Këshillit organizativ të aktiviteteve, theksoi se do të sigurohen mjete nga buxheti shtetëror i Maqedonisë për të shënuar këtë 100 vjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar, raporton agjencia INA.
Gjatë vizitës në Shkup, Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha është takuar me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.
Basha nënvizoi se duhet të ketë bashkëpunim mes komunave dhe bashkive shqiptare për zhvillimin e ndërsjellë të tyre.
Ndërkaq, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi shprehu mirënjohjen për këtë takim, duke e vlerësuar kontributin e Lulzim Bashës për çështjen shqiptare.
mit/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





