Fjala është për komedinë “Shkesia”, e autores Olsa Poshka, bazuar në motive nga një kohë e kaluar, që në trajtimin konkret, kanë një lidhshmëri dhe vazhdimësi deri në ditët e sotme që krijojnë situata dhe momente komike, duke ruajtur nivelin dhe karakterin e shfaqjes dhe personazheve. “Poshka Teatri”, e mbylli këtë vit të suksesshëm kalendarik edhe me një premierë origjinale, duke begatuar jetën kulturore teatrore në Strugë, që kësaj radhe me hyrjen e 2012 ka nisur të shtrihet edhe në disa komuna tjera shqiptare. Fjala është për komedinë “Shkesia”, e autores Olsa Poshka, bazuar në motive nga një kohë e kaluar, që në trajtimin konkret, kanë një lidhshmëri dhe vazhdimësi deri në ditët e sotme që krijojnë situata dhe momente komike, duke ruajtur nivelin dhe karakterin e shfaqjes dhe personazheve, raporton televizoni shteteror RTM. Lidhur me këtë premierë, e pyetur për syzhenë, Olsa Poshka u shpreh: “Kjo komedi trajton mentalitetin e shoqërisë ballkanase. Ngjarjet zhvillohen në kohë të shkuar, në fshat, e megjithatë, shumë nga situatat të sjellin në realitetin e sotëm modern. Në mënyrë paradoksale duket se shoqërisë tonë i duhet ende shumë punë që të meritojë avangardën në të cilën pretendon që është”. Për dallim nga projektet e realizuara më parë, kur ka munguar mbështetja institucionale, kësaj here, ky projekt, mbështetet nga Qendra për zhvillim të rajonit planor Jug-perëndimor – Biroja për zhvillim rajonal, që sipas koordinatores, Arbëresha Vlashi, projekti në fjalë do të shfaqet edhe në disa komuna të rajonit të mëparpërmendur, siç janë Dibra dhe Zajazi. Shfaqja "Shkesia" e autores Olsa Poshka. Kjo komedi vjen në skenë në interpretimin e trupës së “Poshka Teatrit”: Dorian Lekës, Gerta Llogës, Miranda Spaiut, Bledi Beqirit, Fatime Bojkut, Leutrim Mamudit, Merita Vejselit, Eduard Llogës, Lutfie Mustafait, Eroll Prishtinës, Amjet Isës, Parajsa Latës, Almira Halimit, Hazbije Kurtishit. Për lëvizjet dhe figurat koreografike është përkujdesur Besart Asani, ndërsa skenografia dhe kostumet i janë besuar Besart Kolonjës, të cilët së bashku me duetin e regjisorëve Olsa dhe Xheladin Poshka, e sjellin për publikun strugan premierën më datë 23 dhjetor (e premte), ndërsa dy ditët në vazhdim, këtë projekt, do të kenë mundësi ta shijojnë edhe artdashësit në Dibër – më 24 dhjetor dhe ata të Zajazit, më 25 dhjetor. Me këtë premierë, “Poshka Teatri ”, dhe me një koncert piano jazz që do të mbahet kah fundviti, përmbyllë një vit tejet të suksesshëm në jetën kulturore teatrore dhe muzikore në Strugë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd