Korçë, 9 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha që nga qyteti i Korçës ku inauguroi rrugën Lapidar-Koritë-Liqenas, sulmoi opozitën dhe liderin e saj Edi Rama. Duke përmendur ecurinë e qeverisë ai tha se me reforma të thella e serioze, u arrit që të hiqen vizat dhe projekti tjetër është projekti i integrimit të vendit në Bashkimin Europian. “Sot, drejtues të opozitë, në një rast unik në Shqipëri, në një rast unik në Ballkan, në një rast unik në Europë, kanë vendosur të përdorin pushtetin që ju kanë dhënë zgjedhësit për të dëmtuar interesa personale, interesat e çdo shqiptari, interesat e çdo zgjedhësi në Shqipëri. Ju jeni vetë dëshmitarë dhe i ndiqni televizionet, sesi këta shokë konsiderojnë provokacion kërkesën për të votuar ligjet me 3/5. As në kohërat më të vështira po të kish pasur pluralizëm, kjo nuk mund të imagjinohej. Votimi i ligjeve me 3/5 është detyrim që buron nga përgjegjësia e çdo të zgjedhuri para zgjedhësit të tij, është detyrë që buron nga interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, i majtë, i qendrës, apo i djathtë, por që ka projekt kryesor, ëndërr kryesore integrimin e Shqipërisë në Europë”, u shpreh Berisha. Duke iu drejtuar socialistëve ai tha se kjo praktikë bllokuese nuk u bën socialistëve nder aspak, por u tha se nëse e mendojnë këtë si mbështetje, bëhet thjesht Don Kishotizëm. Ai shtoi se në 8 maj u provua se cili ishte verdikti i qytetarëve shqiptarë, ku 140 mijë vota më shumë shkuan për koalicionin qeverisës, për koalicionin e integrimit, për koalicionin e progresit dhe zhvillimit. Berisha u tha socialistëve, “E provuat zotërinj më datën 8 maj, 10907 vota më pak në Tiranë. Për kohë e kohë të tëra, ju e deklaruat Partinë Demokratike si parti fshatare. Dua t’ju garantoj se unë krenohem me secilin prej jush e me çdo fshatar e fshatare të këtij vendi, kudo që ndodhet dhe askush nuk më komplekson dot mua. Origjina ime është fshatare. Unë njoh shumë mirë lumenjtë e djersës e të mundit që ju derdhni çdo ditë, për të mbajtur familjet tuaja. Më duhet t’u them këtyre shokëve se këtë radhë, në qytetet e këtij vendi keni marrë 43 mijë vota më pak. Mos i ndani qytetarët!”. Kryeministri tha se qytetarët shqiptarë, kanë meritën e madhe të lumenjve të djersës, me të cilat e kanë ndryshuar këtë vend, e kanë marrë mbi supe atë, nga një prej vendeve më të shkatërruara në botë dhe po e ndërtojnë me shpejtësinë më të madhe. Sipas tij socialistët duke shkelmuar mbi ëndrrën e tyre europiane, nuk do të mund kurrë të pengojnë shndërrimin e saj në realitet, por tha se mund vetëm ta ngadalësojnë procesin, por shtoi ai do jenë shqiptarët ata që do i japin opozitës atë që meriton. “Pas disfatës së 8 majit, kreu i opozitës ju deklaroi zgjedhësve të tij se tani do të votojmë ligjet në parlament, se do të bëjmë gjithçka për integrimin, se nuk do ta pengojmë më integrimin e do të ndjekim politikë konstruktive. Por, të dashur qytetarë të Korçës e Shqipërisë, nuk kanë votuar asnjë ligj, kanë të njëjtin qëndrim me atë që kanë mbajtur më parë, sepse nisen nga një parim, sipas të cilit, e keqja juaj, e keqja e gjithsecilit, e mira e tyre. Kjo përbën një problem, por ju garantoj se kjo mund ta ngadalësojë, por nuk mund ta pengojë kurrë procesin e integrimit. Procesi i integrimit bazohet në mundin, djersën përkushtimin, vlerat që ne mbrojmë e zhvillojmë. Shqipëria është, do të mbetet e do zhvillohet si në vend demokratik, vend i shtetit ligjor”, deklaroi Berisha. Duke përmendur paktin me 10 pika të Ramës, kreu i ekzekutivit shtoi se maxhoranca është plotësisht dakord për reformën zgjedhore, pasi respekton opozitën. Duke iu drejtuar Ramës, Kryeministri Berisha kërkoi nga ai që të shkruajë të gjitha amendamentet, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHIR-it dhe maxhoranca qeverisëse i voton në parlament, pasi të marrë mendimin tyre, ku i ftoi më tej që të ulen bashkë, me konsensus, siç është punuar më përpara, me ekspertë ndërkombëtarë e t’i votojnë ato. “Ai pretendon për rregulloren e parlamentit, por nëse do rregullore për të bllokuar parlamentin, harroje se kthehet më ajo kohë. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe ka detyrë të bëjë ligjet dhe ligjet më të mira për qytetarët shqiptarë. Askush nuk do mund ta bllokojë atë. Por nëse mendon se janë prekur të drejtat e liritë tuaja, merr rregulloren e Parlamentit Europian ta ballafaqojmë dhe unë ju them se jam i vendosur në çdo nen ta ndryshojmë atë, në rast se ka mungesa. Por ai nuk e ka hallin tek këto, sepse këto nuk i duhen, se do të humbasë dhe zgjedhjet e vitit 2013, nuk ka çfarë t’u thotë e do të thotë se nuk kishim bërë reformën. Ai nuk do reformën. Ai është antirefomë, sepse e ka atë si mënyrë mbijetese. I vetmi politikan në Europë e në botë që kalon nga disfata në disfatë dhe disfatë jo partiake, por personale, sepse është tjetër kur të humbet partia dhe je i detyruar të ikësh, por është tjetër kur humb vetë dhe nuk ikën. Por ti qofsh!”, theksoi Berisha. Kryeministri iu drejtua kryesocialistit, duke i thënë se nuk mund të bëhet rregullorja e parlamentit dhe ligjet e vendit si statuti i Partisë Socialiste. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë, “Ne, duke filluar nga Kryeministri dhe tek çdonjëri prej nesh, jemi të detyruar t’i përmbahemi Kushtetuës dhe ligjeve të vendit, si kush i të gjitha kushteve, për të qenë qytetarë të lirë të këtij vendi”.
Berisha në Korçë
Ditën e sotme Kryeministri Berisha nisi sot një vizitë dyditore në Korçë. Në ditën parë të saj, Kryeministri mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 516 milionë lekë dhe të hënën, do të zhvillojë një vizitë në universitetin e Korçës, për t’i përshëndetur dhe uruar studentëve të këtij universiteti dhe të mbarë vendit fillimin e vitit të ri akademik 2011-2012. Rindërtimi i rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas, me gjatësi 20 kilometra dhe gjerësia 6.5 metra, do të lehtësojë komunikimin e rreth 40 mijë banorëve të komunave Pojan dhe Vreshtas, si dhe të fshatrave të komunave Çerrave dhe Liqenas. Nga ky investim përfitojnë në mënyrë indirekte edhe fshatrat e zonës së Devollit, pasi rruga përdoret gjithashtu si by-pass për të kaluar nga Qafë Plloça në rrugën nacionale Korçë-Bilisht. Në mënyrë të veçantë, ky investim i vjen në ndihmë fermerëve të kësaj zone të njohur bujqësore, pasi ndikon direkt në arritjen më shpejt të tregjeve, për shkëmbimin e produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe për aktivitetet e tjera ekonomike. Duke përshëndetur banorët e kësaj zone për përfundimin e këtij investim të rëndësishëm për fermerët e saj, por edhe për lëvizjen e nxënësve, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të vazhdojë investimet e saj në komunat dhe fshatrat e këtij qarku, por edhe në mbarë vendin, për të pasur të njëjtën infrastrukturë me lagjet e qytetit, në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla etj.. Duke folur për investimet në këtë qark, por edhe për projektet e tjera të mëdha që janë në zbatim apo pritet të ndërmerren.
Fjala e Kryeministrit Berisha në inaugurimin e rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas:
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge 20 kilometra të gjatë, rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas, me një gjerësi 6.5-7 metër, nga e cila përfitojnë rreth 40 mijë banorë të rrethit të Korçës, rrugë që ka një impakt shumë pozitiv në jetën tuaj të përditshme, në daljen tuaj sa më të lehtë e të shpejtë në treg. Gjatë këtyre viteve, ne kemi investuar në komunat e rrethit e qarkut të Korçës rreth 15 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme. Ne kemi asfaltuara e po përfundojmë rreth 390 kilometra rrugë, në qarkun e Korçës. Ne po investojmë mbi 135 milion euro vetëm në akset kombëtare të këtij qarku, të cilat bëjnë të mundur që qytetarët e Korçës të kursejnë në lëvizjen e tyre së paku 60 për qind të kohës së tyre të çmuar. Ne kemi investuar e investojmë në të gjitha rrugët rurale që lidhin komunat me akset kombëtare, që lidhin fshatrat e kësaj zone me komunat. Ne kemi ndërtuar unazën e qytetit, do të ndërtojmë unazën e Pogradecit, po investojmë nga Qafë Plloça drejt Tiranës, nga Qafë Thana drejt Pogradecit, kanë filluar punimet e autostradës Tiranë-Elbasan dhe vetëm investimi në këtë autostradë shkurton rreth një orë kohën që ju duhet juve për të shkuar në Tiranë. Pa llogaritur edhe investimin në autostradës Qafë Plloçë-Qukës. Në qarkun e Korçës, ne kemi bërë investime serioze në ujësjellës, jemi përpjekur të zgjidhim problemin e ujit, kemi investuar mbi 150 milion euro dhe në tërësi, këtu jemi më mirë se në çdo rreth tjetër. Ndonëse sërish janë edhe disa fshatra që kanë nevojë për ujësjellës dhe unë ju garantoj se në këtë qark, brenda këtij mandati, ne do të rindërtojmë edhe ato pak kilometra rrugë që kanë mbetur, do të ndërtojnë edhe ujësjellësit, në mënyrë që investimet këtu të jenë në lartësinë e kërkesave, por, mbi të gjitha, të shpirtit tuaj punëtor. Korça është frymëzuese për shpirtin punëtor të njerëzve të saj. Në përpjekjen tonë, në përpjekjen e madhe shqiptare për të ndërtuar këtu një vend të zhvilluar, Korça qëndron në krye të kësaj përpjekjeje me kontributin e saj. Asnjë nuk ka ndryshuar më shumë jetën e vet, sesa e keni ndryshuar ju, qytetarët e Korçës, njerëz punëtorë që keni qëndisur këtë tokë dhe e keni shndërruar Korçën në një nga prodhuesit më kryesor bujqësor në Shqipëri, por edhe prodhues kryesor të mollëve në mbarë rajonin e Ballkanit. Gjatë këtyre viteve, ne kemi subvencionuar rreth 1600 hektarë mollë, vreshta e dru të tjerë frutore, si dhe blegtorë të ndryshëm që mbarështojnë lopë e tufa të imtash. Po ashtu kemi investuar mbi 25 milion dollarë në vaditje. Ju garantoj se do të investojmë në mënyrë që ju të keni vaditjen më moderne, do të subvencionojmë në mënyrë që ju të zgjeroni çdo vit, sipërfaqen e mbjellë me mollë e dru të tjerë frutorë. Ne kemi zbutur kredinë për 20 impiante ftohjeje në këtë qark. Ju duhet të jeni të sigurt se ne do t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave tuaja. Informacionet që unë kam në tërësi janë thellësisht pozitive. Molla e Korçës po bëhet e famshme jo vetëm në rajon, por në mbarë Europën e në botë. Ata që duan të njohin shijen e mollës duhet të provojnë mollën shqiptare, mollën korçare, që unë nuk e ndryshoj kurrë. Vëllezër e motra, Këto janë disa nga investimet që ne kemi bërë dhe ju garantoj se në vitet që vijnë, ne do të bëjmë investime edhe më të mëdha. Qëllimi ynë është një dhe vetëm një: prosperiteti, mëkëmbja e familjeve tuaja, mbrothësia e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka të krijojmë sa më shumë të ardhura për familjet korçare dhe familjet shqiptare në tërësi. 20 vjet më parë ne ishim ndër vendet më të varfër të planetit, sot, ne kemi lënë mbrapa shumicën e vendeve të planetit. Sot, ne renditemi të 57-t në botë për jetesën më të këndshme. Sot, ne renditemi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, por ne jemi të vendosur e të sigurt se me mundin dhe djersën tonë, do të jetë e afërt dita kur do të renditemi në grupin e vendeve me të ardhura të larta dhe i kemi të gjitha mundësitë, i kemi të gjitha kushtet. Ne i arritëm këto jo se ne kishim mbështetje të jashtëzakonshme financiare, jo se ne kishim ndonjë traditë të shkëlqyer në liri, por i arritëm, sepse ne ecëm me shpejtësi në zgjerimin e lirive tona. Ne i arritëm sepse vendosëm në themelet e ekonomisë sonë parime të ndershme e të drejta, se vendosëm në këtë vend sistemin fiskal më të ulët, sepse mbi shpatullat tuaja rëndon administrata më e vogël në rajon dhe një nga 10-të administratat më të vogla në botë. Ne i arritëm, sepse sot, nga vendi i mungesës totale të lirisë ekonomisë, hiperkolektivizmit total, ne renditemi të 30-t në botë për lirinë ekonomike, e cila vitin e kaluar, për shkak të krizës e ndërhyrjes së qeverive, ka bërë hapa të mëdha mbrapa në botë, në Shqipëri është rritur me 16 për qind. Por ne i arritëm të gjitha këto, para së gjithash e mbi të gjitha, për shkak të karakterit tuaj punëtor, të shpirtit tuaj të sakrificës, të solidaritetit tuaj familjar, të ambicies suaj për të ndryshuar me mund e djersë, çdo muaj, çdo vit, për mirë jetën tuaj. Roma nuk është ndërtuar në një ditë dhe ne, një ditë nuk mund ta ndërtojmë ëndrrën tonë, por askush në liri, nuk ka ndërtuar e po ndërton më shpejt ëndrrën e tij, sesa shqiptarët. Në këto pesë vite, me të ardhurat buxhetore, ne kemi asfaltuar, rindërtuar e po shkohet drejt 9 mijë kilometrave rrugë. Në rast se në vitin 2005, unë do të vija para jush e do t’u thosha se në 5-6 vjet, ne do ndërtojmë e rindërtojmë 9 mijë kilometra rrugë, a nuk do të qeshnit me këtë premtim? Por kjo ëndërr u bë realitet, se ju punuat, shqiptarët punuan, sepse qeveria ndërmori reforma të thella. Në vitin 2004, ne pritëm gjithsej 300 mijë turistë. Imagjinoni, në rast se në fushatën e vitit 2005, do t’u thosha se në vitin 2010 do të kemi 3.5 milion turistë, cili do të ishte ai që do ta besonte këtë. Ne e realizuam këtë, sepse ndryshuam sëbashku Shqipërinë, e bëmë anëtare të NATO-s, e bëmë atë me një infrastrukturë moderne, bëmë që Shqipërinë, bukuritë e saj mahnitëse, t’i njohin gjithnjë e më shumë qytetarë nga mbarë bota. Ju jeni dëshmitarë se vetëm në rrethin e Korçës, ne kemi bërë gjithçka për të shpalosur bukuritë e potencialet e saj turistike. Kemi ecur me rrugë të rindërtua drejt Voskopojës, Liqenasit, Pogradecit, Dardhës, Vithkuqit e së shpejti do të shkojmë drejt burimeve të Devollit që kanë mbetur ende pa u njohur. Një banor i Devollit, gjithnjë, më bën mesazhe, se nuk i keni parë burimet e Devollit dhe ka të drejtë, janë mahnitëse. Ne kemi pasur 3.5 milion turistikë, por edhe ju keni pasur një treg dy herë më të fuqishëm brenda vendit, për prodhimet tuaja dhe jam i sigurt, ju garantoj, se ky është vetëm fillimi, sepse potenciali i madh turistik i këtij vendi është edhe për tre herë më shumë turistë, gjatë 12 muajve. Ne jemi përqendruar t’u ofrojmë juve, njerëzve punëtorë, atë infrastrukturë që kanë lagjet qytetit, me rrugë, ndriçim, ujë, shkolla. Në këtë kontekst, sot, në rrethin tuaj janë rindërtuar e ndërtuar nga e para 64 shkolla. Në të gjitha shkollat e vendit, lundrohet në internet. Interneti nuk është më një mollë e ndaluar. Të rinjtë shqiptarë po ecin me shpejtësi drejt teknologjisë së lartë. Këtë vit, ne kemi shumëfishuar numri e atyre që hyjnë në shkolla për teknologjinë e lartë. Po bëjmë gjithçka në mënyrë që ëndrra më e bukur e juaja dhe e të gjithë shqiptarëve, Shqipëria – vend i zhvilluar, të shndërrohet në realitet. Edhe një herë, ju përshëndes vëllazërisht zoti kryetar i komunës dhe të komunave të rrethit e qarku të Korçës dhe ju premtoj se do të mbështesim çdo projekt tuajin, që jeta e këtyre grave e burrave punëtorë, e këtyre djemve e vajzave të bëhet gjithnjë e më e mirë. a.y/NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd