
Për më shumë se një shekull, epidemia e
meningjitit në Afrikë ka marrë shumë jetë. Por, të hënën do të nisë vaksinimi i
dhjetëra miliona afrikanëve me vaksinën e re – për të cilën shkencëtarët
shpresojnë se do të jetë fillimi i shkatërrimit të kësaj epidemie.
Fushata e vaksinimit do të zgjerohet nga Senegali perëndimor deri te Etiopia në
lindje. E gjithë kjo ka për qëllim vënien nën kontroll të sëmundjes, por, mbi
të gjitha, shpëtimin e 150 mijë jetëve në këtë kontinent deri në vitin 2015.
Për t’u arritur ky synim, zyrtarët shëndetësorë thonë se nevojiten qindra
miliona dollarë. Megjithatë, vetë vaksina e meningjitit mbetet një moment
historik në zhvillimin e vaksinave kundër sëmundjeve që prekin vendet e varfra.
Në dy dekadat e kaluara, në Afrikë janë regjistruar mbi një milion raste të
prekura me meningjit. Zbulimi i fundit bën efekt kundër grupit A të
meningjitit, i cili afekton 8 në 10 raste. Një dozë e tij kushton më pak se 50
cent.
“Kjo është e mrekullueshme”, tha Gregori Poland, udhëheqës i hulumtimeve në
Klinikën Mayo të Minesotës, kur dëgjoi për koston e vaksinës.
Bill Gejts, fondacioni i të cilit financoi në masë të madhe përpjekjet për
zbulim, bëri një ndërlidhje të vaksinës së fundit me ato të fruthit, lisë dhe
poliomielitit.
“Të gjitha ato ishin krijuar për shkak se sëmureshin njerëzit e pasur. Kjo
është vaksina e parë për një vend ku nuk ka treg të pasur dhe ajo duhet të jetë
me një çmim të ulët”, tha ai.
Vaksina e meningjitit është prodhuar nga Instituti Serum i Indisë dhe është
zhvilluar në mënyrë të pavarur nga kompanitë farmaceutike në Amerikë dhe
Evropë.
“Ta bësh këtë jashtë farmacive dhe ta zhvillosh në mënyrë eksplicite për botën
në zhvillim – është një gjë mjaft inovative”, tha Uilliam Shafner, udhëheqës i
departamentit të mjekësisë preventive në Shkollën Vanderbilt.
Por, ky model i zhvillimit nuk do të bëjë punë në krijimin e vaksinave kundër
sëmundjeve më komplekse, si SIDA apo malaria, meqë, sipas ekspertëve, ka ende
nevojë për përparime shkencore. Ndërsa tani, studiuesit po punojnë për
prodhimin e vaksinave kundër kolerës, pneumonisë dhe sëmundjeve të diarresë.
Vaksinimi kundër meningjitit do të nisë të hënën në Burkina Faso dhe do të
vazhdojë në Mali dhe Nigeri gjatë këtij muaji. Ekspertët e shëndetit publik
tërheqin vërejtjen se vaksina nuk duhet të mbivlerësohet. Ajo nuk do ta zhdukë
sëmundjen, porse do të jetë e efektshme vetëm kundër grupit A – që është më i
përhapuri në mesin e popullit afrikan.
Në muajin qershor, pas pesë vjet hulumtimesh klinike në Afrikën Perëndimore dhe
në Indi, Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi përdorimin e vaksinës në
një shkallë të gjerë.
Shtytja për të zbuluar një vaksinë efektive kundër meningjitit, filloi pas
epidemisë së vitit 1996 dhe 1997, e cila preku mbi një çerek milioni afrikanë.
Në këtë periudhë humbën jetën mbi 25 mijë njerëz, ndërsa 50 mijë sosh ngelën me
aftësi të kufizuara. Riçard Adegbola ishte hulumtues mjekësor atë kohë në
Gambia. “Ishte kaos”, thotë ai, teksa përshkruan spitalet e atyre viteve.
Temperatura, ethet dhe dhimbja e kokës janë simptome të meningjitit. Brenda një
ose dy ditësh, një ndër dhjetë persona të infektuar humb jetën. Rreth një e
pesta e të prekurve vuajnë nga aftësitë e kufizuara, si: paraliza, vonesa mendore
dhe epilepsia.
Për më shumë se një shekull, epidemia e meningjitit në Afrikë ka marrë shumë jetë. Por, të hënën do të nisë vaksinimi i dhjetëra miliona afrikanëve me vaksinën e re – për të cilën shkencëtarët shpresojnë se do të jetë fillimi i shkatërrimit të kësaj epidemie.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





