
Dëbora dhe erërat e forta po godasin brigjet
verilindore të Shteteve të Bashkuara nga Filadelfia në Boston, duke detyruar
shoqëritë ajrore të anulojnë fluturimet dhe bllokuar një numër të madh
udhëtarësh.
Në aeroportin Ronald Regan në Uashington,
shumica e fluturimeve u anuluan dhe udhëtarët po përpiqeshin të riplanifikonin
udhëtimet. Rik Rasëll po përpiqej të largohej nga Uashingtoni dje, por nuk
ishte në gjendje të përcaktonte se kur dhe nëse do të gjente ndonjë fluturim
për t’u larguar nga qyteti.
“Kam mbetur i zhgënjyer që tani ndodhem në
aeroport dhe fluturimi im për në Detroit është anuluar. Do të përpiqem të gjej
një linjë tjetër. Duket se shoqëria Delta do të ketë avion për atje. Shpresoj
të nisem me këtë linjë... Ndoshta”.
Linjat ajrore dhe transportet të tjera janë të
ngarkuara këtë javë, pasi miliona amerikanë vizitojnë miqtë dhe familjet me
rastin e festave të fundvitit. Fluturimet në rajonin lindor të SHBA-ve që është
edhe më i populluari, shpesh janë vonuar edhe pa patur stuhi bore.
Në Nju Jork, në tri aeroportet kryesore u
anuluan dje më shumë se 1400 fluturime para se të afrohej stuhia. Transporti
ajror nuk ishte problemi i vetëm. Udhëtimi me makinë nëpër autostrada ishte
gjithashtu i vështirë. Shërbimi hekurudhor Amtrak mes Nju Jorkut dhe Majemit
anuloi udhëtimet mbrëmë dhe anulime në transportin hekurudhore pati edhe në
shtetin e Virxhinias.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll
Blumberg, u bëri thirrje qytetarëve të mos dilnin jashtë dhe të shtynin planet
e udhëtimeve po të ishte e mundur. Paralajmërimi për stuhi bore në qytetin e
Nju Jorkut do të jetë në fuqi deri nesër vonë.
“Meteorologët e Shërbimit Kombëtar të Motit po
na thonë se mund të kemi deri në 40 centimetra dëborë dhe erëra me shpejtësi
deri në 90 kilometra në orë. Është vështirë të qëndrosh jashtë në kushte të
tilla atmosferike dhe veçanërisht kur rrugët janë me akull. Pra është e
rrezikshme të dalësh jashtë”.
Më shumë se 2400 punonjës të shërbimit komunal
po punojnë me turne 12 orëshe për të pastruar rrugët e Nju Jorkut. Shërbimi
Kombëtar i Motit thotë se stuhia filloi me rënin e presionit atmosferik në
brigjet e Karolinës së Veriut, duke u shndërruar në një stuhi të fortë.
Kryeqyteti i Karolinës së Veriut, Kolumbia, pati borën e parë të madhe që kur filloi mbajtja e të dhënave të motit në vitin 1887
NOA
SHBA, 27 dhjetor, NOA – Një stuhi e madhe bore që po u afrohet brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar anulimin e fluturimeve dhe ka bllokuar udhëtarët nëpër aeroporte. Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë paralajmërime për rajonin nga Meini në Nju Xhërsi, ku parashikohet të bjerë deri 50 centimetra dëborë në disa zona. (more…)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





