Transmetuar më 17-03-2010, 18:39

Tiranë, 17 Mars NOA - Një investim prej rreth 41 milionë lekësh vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ka bërë të mundur përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të Parkut në fushën "Ali Demi".

Sipërfaqja e sheshit ku është ndërhyrë, (plot 10 mijë metra katrorë), është fryt i dëgjesave publike me komunitetin e zonës. Fusha nga një territori i kthyer në një vend mbeturinash dhe pa asnjë lloj aksesi, aktualisht është transformuar në një ambjent rekreativ për komunitetin e zonës.



Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, mes një entuziazmi dhe pritje të ngrohtë që banorët e zonës i kishin rezervuar, u shpreh për mediat e pranishme sot se "është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua kur shoh gjithë këta banorë, që prej kohësh prisnin këtë hapësirë të re, këtë park për fëmijët dhe gjyshërit".

Ai e konsideroi ambientin e ri si një park familjar për të kaluar kohën e tyre të lirë të shoqërizuar në një hapësirë të një cilësie krejt të re bashkëjetese komunitare, që është një tjetër shembull i transformimit të Tiranës dhe një shembull që nuk është i vetmi, por do të pasohet edhe nga të tjerë, në të tjera zona e territore ku ne dëshirojmë që të krijojmë kushtet më të mira për komunitetin dhe për mundësitë që njerëzit të kalojnë së bashku orët e lira.

"Është një premtim i dhënë dhe një premtim i mbajtur, është një hap tjetër drejt një Tirane të bashkëjetesës qytetare në çdo komunitet, në çdo lagje", - tha Rama.

***

Parku "Ali Demi" ndodhet në kryqëzimin e rrugëve "Ali Demi" dhe "Idriz Dollaku". Aktualisht në të vihet re një fluks i theksuar lëvizjeje për këmbësorët, në drejtimin veri perëndim - jug lindje.

Zgjidhja urbane e propozuar, respekton këtë prakticitet duke krijuar një aks të fuqishëm lëvizjeje, sipas këtij drejtimi. Në këtë mënyrë, përftohen dy zona kryesore; zona në lindje të këtij aksi, një zonë e qetë me karakter parku dhe zona në perëndim e zhurmshme e kryesisht me karakter sportiv.

Zona e qetë është konceptuar si një hapësirë e përshtatshme për moshat e treta dhe fëmijët. Pjesa më e madhe e sipërfaqes është mbjellë me bar dhe pemë të llojeve të ndryshme të cilat krijojnë hije të mjaftueshme.

Po ashtu, çezmat me ujë të pijshëm dhe stolat janë menduar si elementë të domosdoshëm për zonën e qetë gjatë periudhave të nxehta të vitit.

Zona sportive është konceptuar një pistë patinazhi me pedana, e përshtatshme për "skate board", për fëmijët dhe të rinjtë e moshave të ndryshme.

Në hyrje të parkut fillon aksi kryesor i lëvizjes e paralel me të edhe hyrja për në zonën sportive, ku është konceptuar një plan i pjerrët për paraplegjikët.

Pas shkallëve, hapet një shesh i vogël ku stolat edhe çezmat me ujë të pijshëm të konfiguruara sërisht, do t'u shërbejnë patinatorëve apo kalimtarëve të rastit.

Përgjatë aksit kryesor të lëvizjes është pozicionuar zona e fëmijëve e cila është trajtuar si një gropë rëre me lodra të ndryshme si lisharëse, rrëshqitëse etj.

Zona e shërbimit ndodhet në pjesën fundore të parkut (jug-lindje). Është një strukturë e vetme e cila kryen disa funksione (banjo publike për vizitorët si edhe ambiente të tjera të nevojshme për punëtorët e mirëmbajtjes së parkut).

Elementët përbërës të parkut

Shtrimi i rrugëve të parkut është realizuar me pllaka të llojeve të ndryshme. Rruga kryesore e kalimit me sipërfaqe totale 875 m² si dhe rrugët dytësore të kalimit të këmbësorëve me sipërfaqe totale 1164 m² janë shtruar me pllaka dekorative.

Sipërfaqja e pistës e shtruar me beton të ngjyrave të ndryshme, ka krijuar një imazh më të larmishëm nga pikëpamja grafike për të qenë më pranë filozofisë së rinisë.

Shatërvani është një element qendror në konceptimin e parkut, i cili nuk është trajtuar si një shatërvan tradicional, por është një sipërfaqe relativisht e madhe dhe me kuotë të ulët, ku fëmijët do të kenë mundësi të argëtohen e të freskohen.

Përreth shatërvanit ka një stol të vazhduar rrethor i cili do të mundësojë qëndrimin rrotull shatërvanit. Pas stolit, është konceptuar një brez i mbjellë me portokallë të egër, hija e të cilëve ecën paralel me stolin, ndërkohë që stolat e tjerë janë vendosur përgjatë rrugëve të brendshme të parkut.

Ndriçimi është ideuar sipas funksionit të hapësirave. Zona sportive ka nevojë për një ndriçim më të fortë dhe të drejtpërdrejtë, të realizuar përmes vendosjes së shtyllave metalike, ndërsa, zona e qetë është e pajisur me ndriçues pedonalë.

Përsa i përket gjelbërimit, hija e blirit dhe kumbullës së kuqe, do të ndjekë rrugët e lëvizjes. Gjithashtu janë përdorur edhe bimë të tjera, të tipit shkurre dekorative si trëndafilë, jasmin, manjola etj.

e.r/NOA

Tiranë, 17 Mars NOA – Një investim prej rreth 41 milionë lekësh vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ka bërë të mundur përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të Parkut në fushën "Ali Demi".

Sipërfaqja e sheshit ku është ndërhyrë, (plot 10 mijë metra katrorë), është fryt i dëgjesave publike me komunitetin e zonës. Fusha nga një territori i kthyer në një vend mbeturinash dhe pa asnjë lloj aksesi, aktualisht është transformuar në një ambjent rekreativ për komunitetin e zonës.

(more…)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit