
Hapja dhe jo mbyllja, dialogu dhe jo mungesa e tij, mund t'i japin një zgjidhje problemeve etnike të Ballkanit
Nga Blendi
Fevziu
Ilir Meta, Ministri i Jashtëm Shqiptar dhe Zëvendëskryeministri,
ka thyer në fundjavë edhe murin e fundit të izolimit të Shqiptarëve. Kolona e
makinave të delegacionit të Republikës së Shqipërisë ka hyrë në Luginën e
Preshevës dhe Bujanovcit për të shënuar, siç tha Kryetari i Komunës atje,
vizitën e parë të një burrështetasi shqiptar në ato troje, 98 vjet pas
shpalljes së Pavarësisë.
Imazhet që TV-të përcollën në Tiranë, Prishtinë apo edhe Beograd, risollën në kujtesë imazhe të harruara të shqiptarëve të ndarë forcërisht nga shteti i tyre amtar, të shtypur dhe të izoluar, imazhe që kanë dominuar historinë tonë të shekullit të XX. Nga ana tjetër, ato përftuan edhe një realitet të ri.
Idenë se Shqipëria ka fituar një status të ri,
imponues; se ajo ka filluar të kujdeset për bashkëkombësit e saj dhe se çdo
raport dypalësh me Serbinë duhet dimensionuar në kontekstin e Kosovës, por edhe
të Shqiptarëve në Serbi. Prania e një anëtari të Qeverisë serbe në krah të Ilir
Metës, ishte shembulli më i mirë se e ardhmja e komunitetit shqiptar që jeton
sot në Serbi do të vishet me një model të ri.
Nuk dua të përfshihem në debatin nëse duhej apo jo që Ministri i Jashtëm
Shqiptar të vizitonte Preshevën dhe Bujanovcin. Personalisht e konsideroj këtë
një debat të tejkaluar dhe banal.
E para, Shqipëria ka qenë e vonuar dhe borxhli në këtë vizitë. Ahmet Zogu dhe
Enver Hoxha kanë vizituar Beogradin, por askush prej tyre nuk ka guxuar ta
vizitojë Kosovën; liderët shqiptarë të 10 viteve të fundit kanë vizituar disa
herë Beogradin, por asnjëherë krahinat shqiptare që kanë mbetur nën Serbi.
Vizita e krahinave shqiptare ka qenë një dimension i munguar për 98 vjet dhe
Tirana zyrtare kishte detyrimin që ta shkelte tashmë këtë tabu.
E dyta, Shqipëria duhet të shkëputet nga politika e jashtme apatike dhe të jetë
prezente e të ushtrojë presion për mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve të
saj, si në Serbi, ashtu edhe në Greqi. Nëse çdo President Shqiptar i 20 viteve
të fundit ka vizituar arbëreshët e Italisë, duke shprehur solidaritetin për
këtë komunitet të jashtëzakonshëm që ka mbijetuar në shekuj, s'ka përse mos ta
bëjë këtë me një komunitet që ka luajtur rol aktiv në zhvillimet shqiptare në
ish Jugosllavi.
E treta, problemi i Kosovës dhe njohjes së saj nuk është një problem që duhet
ta izolojë Shqipërinë në marrëdhëniet dypalëshe, përkundrazi. Pikërisht për hir
të Kosovës, Shqipëria duhet të jetë më aktive me ato vende që nuk e kanë njohur
atë ende, duhet të ketë më shumë kontakte, më shumë presion dhe të afishojë
pikëpamjen dhe argumentet e saj. Siç ka ndodhur me aktivizimin e diplomacisë në
10 vitet e fundit me vende të cilat nuk kanë pasur interes më parë.
Së katërti, Shqipëria e aq më shumë Kosova, nuk duhet të kenë frikë nga hapja
dhe liberalizimi i Serbisë, por nga e kundërta. Nëse Serbia moderon qëndrimin e
saj - nëse ajo aplikon një politikë sa më të hapur, inkurajuese dhe integruese
për komunitetin shqiptar që jeton atje, kjo nuk është një fitore vetëm e saj,
por edhe e Shqiptarëve, e Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo do të ndikojë që edhe
standardet e Serbëve në Kosovë të përmirësohen dhe dy vendet ta harrojnë të
shkuarën e dhimbshme për hir të një të ardhmeje europiane. Ideja që Serbia
duhet lënë e izoluar, duhet shtyrë të gabojë dhe të tregohet me gisht si delja
e zezë e Ballkanit, është më se e gabuar. Ajo të kujton politikën e Titos e Milosheviçit
që e bënin këtë me Shqipërinë Komuniste. Hapja dhe jo mbyllja, dialogu dhe jo
mungesa e tij, mund t'i japin një zgjidhje problemeve etnike të Ballkanit.
Por, do të doja të dilja tej këtij shikimi meskin dhe idhnak të problemit. Nuk
ka asnjë dyshim që zhvillimet e 10 viteve të fundit kanë përftuar një realitet
politiko-diplomatik shumë të ndryshëm dhe më të favorshëm për Shqipërinë.
Shteti dikur i vogël dhe i izoluar i Ballkanit, vendi që prodhonte vetëm lajme
komike me absurdin e tij, aleati i Kinës, Vietnamit dhe Voltës së Sipërme, që
ish lënë krejt në harresë, ndodhet sot në kushte të ndryshme. Shqipëria
kufizohet në verilindje nga Kosova, një shtet i ri prej 2.4 milion banorësh, i
njohur nga gjithë fuqitë e mëdha të globit. Një shtet kryesisht shqiptar, me të
cilin ndan një gjuhë, një kulturë, një histori, një filozofi, të njëjtat
ambicie zhvillimi dhe të njëjtin vizion gjeopolitik.
Në veri ndodhet shteti i vogël i Malit të Zi, ku shqiptarët etnikë përbëjnë
afro 10% të popullatës dhe në raportet delikate mes malazezëve dhe serbëve janë
një grup thuajse vendimtar, gjë që u dëshmua edhe në referendumin për pavarësi
më 2006.
Në juglindje kufizohemi me Maqedoninë, 30% e popullatës të së cilës është
shqiptare, ku ndikimi mediatik, kulturor, por edhe politik i Shqipërisë dhe
Kosovës, është evident dhe dominues.
Akoma më në veri ndodhet Serbia, zhvillimi dhe ecja përpara e së cilës varet
shumë nga raportet me vendet e ish-Jugosllavisë, mes të cilave më dominuese
mbeten Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, shtete ku shqiptarët kanë një rol kyç.
Vetë Serbia ka një komunitet shqiptar që mund të jetë gjithnjë një problem për
të po nuk aplikoi standarde dhe politika europiane zhvillimi. E ndodhur në këtë
situatë, Shqipëria nuk mund të qëndrojë më si një vend pa rol dhe pa peshë; ajo
nuk mund të jetë ende vendi më i vogël dhe varfanjak i Ballkanit, një vend që
nuk zgjidh dot problemet e brendshme, por një vend që mund të eksportojë
zgjidhje dhe garanci edhe në Ballkan. Ose së paku, një vend që ka mjaft në dorë
në stabilitetin e zonës më të pastabilizuar të Europës në 20 vitet e fundit,
ish-Jugosllavisë. Për hir të këtyre rrethanave, fati i keq e solli që integrimi
i Shqipërisë të mos ndodhë me vendet e tjera ish komuniste të Europës Lindore,
por me vendet e ish Jugosllavisë pas një konflikti të gjatë.
Tani, Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë rrethanë për të luajtur një rol të
padiskutueshëm në këtë drejtim. E armatosur me filozofinë e një politike
stabiliteti, ajo duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë e saj dhe të jetë
aktive. Ajo duhet të ndërtojë pikat e saj të bashkëpunimit me Serbinë e
Greqinë, për një arsye të thjeshtë: që e ardhmja europiane e të tri vendeve të
jetë e menduar dhe e ndërtuar mirë. Jo mbi bazën e lypjes, por të imponimit.
Fati i keq i Shqiptarëve, fakti që më shumë se gjysma e tyre mbetën jashtë
kufijve të shtetit amë më 1912, mund të jetë një shans më shumë në momentin e
integrimit të tyre në Europë. Ndaj ne nuk duhet të presim, por duhet të vihemi
në rolin e liderit dhe diplomacia është ajo që duhet të jetë më aktivja. Ndaj,
vizita e Metës në Preshevë, po aq sa një vizitë e vonuar një shekull, ishte
edhe një derë e re e hapur e diplomacisë sonë, ajo e diplomacisë aktive…
Hapja dhe jo mbyllja, dialogu dhe jo mungesa e tij, mund t’i japin një zgjidhje problemeve etnike të Ballkanit
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





