Transmetuar më 21-03-2010, 11:41

Tiranë, 21 mars NOA – Bizneset e vogla duke nisur nga viti në vazhdim janë të detyruara që të tatohem me TVSH nëse të ardhurat vjetore janë pesë milionë lekë në vit por ndryshimi I pragut nga shteti ka bërë që të lindë një metodë e re shmangieje e cila në të vërtetë shkatërron të ardhurat e shtetit që u përpoq të fitojë ca më shumë.

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustria Shqiptare, i tha sot agjencisë NOA se të dhënat e deritashme të ardhura pranë Konfindustrisë tregojnë, se po ndeshemi me dukurinë e vetmbylljes dhe/ose shkuarjen drejt falimentit të qëllimshëm.

"Këtë po e bëjnë disa mijëra subjekte tregtare – biznes i vogël në shkallë vendi, më qëllim vazhdimin e punës si subjekte të reja "biznes i vogel" të pakontrolluara më parë nga institucionet fiskale nën pragun e ri të Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) prej 5 milion lekë të ardhura vjetore", detajon z.Buxhuku.

Pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve të pragut të TVSH-së është dukuria mjaft shqetësuese e rritjes së mëtejshme të shkallës së veshtirësisë në lëshimin e faturave fiskale nga bizneset e vogla, që kërkojnë të qëndrojnë nën pragun e ri të shpallur prej 5 milionë lekë/vit duke krijuar shmangie shtesë edhe prej 3 milionë lekë/vit në vlerë fature për  çdo biznes.

"Kjo do të thotë, që në shkallë vendi rrezikohet të prodhohet një fluks mjaft të madh financiar shmangie fiskale, që më pas kalon i shumëfishuar në të gjithë hallkat e sipërme të sistemit tregtar të ekonomisë shqiptare, duke kërcënuar seriozisht të hyrat publike në buxhet dhe të godasi ashpër konkurrencën e ndershme në treg", – thekson z.Buxhuku. Gjithashtu, shmangia fiskale e mësipërme e bizneseve të vogla do të dëmtojë ndjeshëm dhe të ardhurat e pushteteve vendore. 

Në këtë pikë, Konfindustria vlerëson, se ulja e pragut të përfshirjes së bizneseve në skemën e pageseë së TVSH-së nga 8 milionë në 5 milionë lekë rrezikon, që jo vetëm të mos arrijë uljen e evazionit fiskal, por përkundrazi të shtojë masën e evazionit nga të ashtuquajturat biznese të vogla dhe njëkohësisht të shkaktojë rritjen e shkallës së korrupsionit nga institucionet fiskale zbatuese.

"Konfindustria zyrtarisht i ka paraqitur me kohë Qeverisë Shqiptare kundërshtimin e arsyetuar si më sipër për ndryshimet ligjore në skemën e përfshirjes në TVSH të biznesit dhe njëkohësisht i ka paraqitur variantet e saj për përmirësim", – tha Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria.

e.r/NOA

(more…)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit