Transmetuar më 27-04-2024, 14:23

Tirana-Partizani është kryesfida e javës së 33-të të Superiores, që do të luhet sot dhe nesër. Të dielën, prej orës 19:00, në “Arena Kombëtare” do të përballen dy skuadrat kryeqytetase, me synim fitoren. Të kuqtë janë më afër “final four”, prej nga kalon edhe titulli, ndërsa bardheblutë rrezikojnë shumë.

Duhet zënë një nga 4 vendet e para të Superiores, pas 36 javëve të kampionatit, për të shkuar pastaj në “final four”, ku pikët zerohen dhe më të mirët luajnë mes tyre për të shpallur kampionin. Për momentin, Partizani mban vendin e tretë me 51 pikë, ndërsa Tirana pozicionohet një vend më poshtë, me 46 pikë, aq sa ka dhe Dinamo City.

Trajneri Erbim Fagu u shpreh në konferencën për shtyp, para sfidës me Partizanin, se vlejnë vetëm tri pikët: “Padyshim që na ka ardhur keq për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, pasi dhamë gjithçka për të shkuar në finale. Fati nuk ishte me ne. Tani jemi të fokusuar te kampionati, sigurisht te derbi, ku do të bëjmë të pamundurën për të marrë tri pikët dhe siguruar pjesëmarrjen në “final four”.

Do të luajmë vetëm për tri pikët, kërkoj maksimumin e të gjithë lojtarëve për të marrë rezultat pozitiv. Nëse fitojmë, rriten edhe lojtarët në aspektin moral. Ndeshje të tilla nuk kanë nevojë për apel, secili lojtar e di mirë rëndësinë e derbit ndaj Partizanit.

Kam shumë besim se lojtarët që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin në fushë për tri pikët. Situata me dëmtimet? Najdovski ka patur probleme në seancën e fundit, ndaj gjendja e tij mbetet për t’u vlerësuar. Pjesën tjetër të grupit e kam në dispozicion.

Derbet luhen për t’u fituar, na duhen patjetër pikët. Shpresoj t’ia dalim edhe për tifozët tanë të zjarrtë. Uroj shumë që të jenë të shumtë për të na mbështetur dhe t’iu kthejmë buzëqeshjen. Më pas le të festojmë të gjithë së bashku”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd