Transmetuar më 27-04-2024, 11:01

TIRANA- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e cila u la jashtë Kryesisë së PL-së, tha për mediat, para nisjes së Koventës së PL, se nuk do të krijojë një fraksion të ri brenda kësaj force politike. Ajo tha se ‘fraksionin nuk e bën për show. Kryemadhi u shpreh se është gladiatore me taka, nuk ka turp as nga takat dhe as të vishet si grua, sepse, siç tha ajo, është grua. Ajo shtoi se beteja e saj ka të bëjë me rritjen e shumë figurave të reja.

“Nuk besoj tek fraksionet, por vërtetësia e secilit prej nesh. Fraksionin Monika Kryemadhi nuk e bën për të bërë për show, jam gladiatore me taka, nuk kam turp as nga takat dhe as të vishem si grua, sepse jam grua, nuk jam burrë. Beteja e Kryemadhi ka të bëjë me rritjen e shumë figurave të reja", tha Kryemadhi.

"Normal që ndjej keqardhje, se 30 vjet të jetës tënde politike të t’i fshijnë me një vendim dhe të të përzen se ke zgjedhur të ndërtosh familje dhe jo përftime, për mua familja është më e rëndësishme se politika. Në politikë jam investuar që në forumin socialist shqiptar për të rinjtë, jam një nga akademitë më të vjetra për të rinjtë, por mendoj se ka ardhur koha që prioritetet e Monika Kryemadhit janë, Bora, Besi dhe Era.

Në 30 vjet Monika ka qenë një gladiatore në arenën e luftës, e cila bënte shfaqje dhe neroni ngrinte gishtin, vrite ose lërë të jetojë. Pas 30 viteve Monika ka vendosur të mos bëj më luftë, por të shoh prioritete të tjera", tha Kryemadhi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd