Transmetuar më 27-04-2024, 10:09

I freskët nga eliminimi nga "Europa League" dhe humbja në derbin, që i dha Interit yllin e dytë, Milani është në kërkim të shpagimit të menjëhershëm ndaj Juventusit, për të tentuar të sigurojë vendin e dytë. “Fokusi është vendi i dytë, duhet të fitojmë sërish. Kanë qenë 10 ditë delikate, – shpjegoi Stefano Pioli në konferencë për shtyp. – Ne po vuajmë nga kjo situatë, por kemi për detyrë të kemi shpatulla të gjera".

Si është disponimi i ekipit?

Ne nuk mund të ndalemi në këto rezultate negative, duhet të kemi dëshirën për shëlbim. Sigurisht që duhet të kemi krenarinë dhe forcën për të qëndruar të bashkuar, për t’i fituar ndeshjet e mbetura nga tani deri në fund të kampionatit. Ne jemi profesionistë, jemi të lidhur me atë që bëjmë, vuajmë shumë nga kjo situatë, por kemi për detyrë të kemi shpatulla të gjera, të ngrihemi.

Si duhet të jetë Milani nga pikëpamja emocionale?

Ne duhet të luftojmë, të japim gjithçka sikur të jetë ndeshja e fundit. Kështu duhet të mendojmë. Duhet të luftojmë për çdo top, të jemi të përqendruar, të mposhtim një kundërshtar, i cili po bën mirë. Ne duam ta mbrojmë vendin e dytë.

A mendoni se lojtarët dhe skuadra kanë dhënë gjithçka?

Dhamë gjithçka, por sigurisht që nuk ishim gjithmonë në gjendje të shpalosnim cilësitë tona më të mira. Interi ka qenë skuadra më e fortë në kampionat për 4 vite dhe ka fituar vetëm 2 kampionate. Ne kurrë nuk kemi qenë skuadra më e fortë në kampionat. U përpoqëm të luftonim për vendet e para, ndonjëherë ia dolëm,  nganjëherë më pak. Dhamë gjithçka nga ana psikologjike, por nuk ishim gjithmonë në gjendje ta ngrinim nivelin tonë të lojës.

A është e vështirë t’iu japësh kuptim këtyre 5 ndeshjeve të fundit?

Kanë mbetur edhe 5 ndeshje, kemi shumë pikë në dispozicion, duhet të tregojmë se jemi Milani. Duam të dalim nga këto 10 ditë të vështira duke dëshmuar cilësitë tona më të mira në fushë.

A kanë qenë këto 10 ditë më të vështira që kur jeni trajner i Milanit?

Në këto gati 5 vite nuk ka pasur rrugë të mesme; ose momente shumë pozitive, ose momente shumë negative. Nuk mund t’ju them nëse ka qenë periudha më negative, por është më e afërta dhe për rrjedhojë edhe më e dhimbshme. Sikur të mundja do të jepja gjithçka që kam për t’i ndryshuar rezultatet e derbeve, por kjo nuk mund të bëhet më.

A do të jetë Leao kapiten ndaj Juventusit?

Leao do të jetë kapiten, po e përjeton situatën si të gjithë ne. Ishte e dhimbshme ta humbisnim derbin dhe t’i shihnim rivalët tanë të festonin titullin. Duhet të reagojmë në ndeshjet e ardhshme.

Një sezon ku Milani ka shfaqur mungesë ekuilibri…

Le të presim fundin e kampionatit, pastaj secili do të bëjë vlerësimet e veta. Ka disa gjëra pozitive dhe sigurisht të tjera negative.

Cila ishte ajo që ju solli në këtë gjendje shpirtërore, përveç ndeshjes së fundit?

Dalja nga ‘Europa League’ dhe muaji kur u shkëputëm nga kreu i Serie A. Interi është më i fortë, më i vazhdueshëm, më solid, ndërsa ne nuk kemi arritur të ruajmë atë nivel. Sidoqoftë, nuk jemi të vetmit që nuk e kemi ruajtur nivelin në raport me Interin.

Çfarë ju tha Ibra pas derbit?

Zlatan ishte këtu të mërkurën dhe të enjten. Në fakt, ai është gjithmonë pranë nesh. Përpiqet të na japë besim dhe mbështetje për ta kapërcyer këtë moment delikat. Ne fitojmë së bashku, gëzojmë së bashku dhe trishtphemi së bashku. Së bashku mundohemi t’i kapërcejmë momentet e vështira.

Pse nuk dolët në konferencën për shtyp të hënën, pas derbit?

Nuk doja të mos e mbaja konferencën, por ishte zgjedhje e klubit. Gjithmonë i kam marrë përsipër përgjegjësitë e mia, përndryshe do të kisha qëndruar në heshtje deri në fund të sezonit.

Ibra dhe Theo janë figura nga të cilat Milani duhet t’ia fillojë sërish? A është gati Theo të jetë lider?

Këto do të jenë zgjedhje që klubi do të duhet t’i bëjë. Nuk kam asnjë dyshim për karizmën, cilësitë teknike dhe njerëzore të Zlatanit. Nuk kam pse të jem sponsori i tij. Këto nuk janë gjëra që unë mund t’i vendos. Nuk e di se çfarë roli do të ketë Zlatan, por ai e do shumë Milanin. Zlatan do të marrë vendimet më të mira për detyrat dhe idetë e tij. Sa për Theo, ai është një lojtar shumë i fortë, mund të jetë mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e Milanit.

Në derbi ishte befasuese zgjedhja e Adlit në vend të Bennacer…

Ismael nuk është ende 100%, në dy ndeshjet kundër Romës nuk më ka bindur. Për momentin Adli është shumë i vëmendshëm në fazën e mbrojtjes, mendoj se është lojtar më i besueshëm.

Gjatë festimeve, Inzaghi ka komplimentuar Milanin, duke thënë se do të jenë një kundërshtar shumë i vlefshëm edhe në të ardhmen. A ka të drejtë? A janë të rikuperueshme 17 pikë në sezonin e ardhshëm?

Kjo është një meritë tjetër e Inzaghit. Sidoqoftë, mendoj se është shumë më e lehtë t’i komplimentosh kundërshtarët kur fiton. Nëse më duhet të them të vërtetën, nuk e mbaj mend vitin e kaluar sa pikë distancë pati Interi nga Napoli, mendoj shumë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd