Transmetuar më 24-04-2024, 22:34

Ish kryeministri Sali Berisha bëri thirrje sonte që shqiptarët të bashkohen në një protestë kombëtare të premten dhe të kërkojnë qeveri teknike.

"Edi Rama, ke vetëm një alternativë dhe unë po ta them këtu, në emër të demokratëve dhe opozitarëve, të cilët janë të betuar: qeveri teknike ose vend mbi tokë nuk do të kesh. Edi Rama, edhe në shpellat më të zeza të mafies po të futesh, do të gjejmë. Qeveri teknike, zgjedhje të lira, kjo është kërkesa jonë!"

Berisha u bëri thirrje edhe të gjitha forcave politike në opozitë që të bëhem bashkë në këtë protestë.

"48 orë na ndajnë nga dita e fitores. 48 orë! Ndaj dhe unë, sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite. Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores.

Sot ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë.

U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies. Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj. E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj", tha Berisha para mbështetësve që u mblodhën për të 114-ën ditë rresht në rrugën pranë banesës ku ai ndodhet nën arrest shtëpiak.

Berisha, u shpreh gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin qytetar se Edi Rama shiti jo vetëm Erion Veliajn, por edhe Olsin e tij. Berisha tha se, nuk ka forcë që ta shpëtojë Erion Veliajn, madje as vetë Dumani. Kryedemokrati tha se Erionit i kanë mbetur vetëm 48 orë para se ai të japë dorëheqjen:

"Beteja për çlirimin e bashkisë është betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri. Ftoj çdo qytetar, ftoj çdo demokrat, ftoj çdo opozitar të mendojë se çdo të thotë për të nesërmen e tij.

Se ç’do të thotë për të nesërmen e fëmijëve të tij. Se ç’do të thotë për të nesërmen e shoqërisë shqiptare, kombit dhe Shqipërisë. Në rast se me fuqinë tonë nuk kapim për zverku të nxjerrim jashtë bashkie, kryehajdutin, kryehorrin e Tiranës.

Demokrate e demokratë, kjo është betejë vendimtare. Kjo betejë nuk mund të humbet. Kjo betejë vetëm fitohet. Nuk ka forcë në botë që të na ndalë ne pa përmbushur detyrimin tonë, shporrjen nga bashkia të Erion hajdutit dhe hajdutëve të tjerë.

Erion, i tmerruar nga vrulli qytetar, zemërimi qytetar kalon nga një vend në tjetër. Por të jap fjalën e nderit, se edhe në Hënë po shkove, do të kapim dhe do të çojmë atje ku e meriton.

Dëgjo këtu o hajdut që shpërndan fotot me këtë apo atë qeveritar, mos harro se edhe Saimir Tahiri me Ediskobarin shkuan në Shtëpinë e Bardhë, por ku përfundoi Saimir Tahiri pastaj?

Nuk ke të ardhme, gjyqin do të ta bëjmë në sheshin Skënderbej. Ndaj dhe kthehu të japësh dorëheqjen, mos të të heqim në mënyrën më të vendosur dhe të japim atë që meriton. Kthehu se je një shpifësirë që nuk ke pasur shok kurrë në ndonjë administratë. Ke vjedhur 100 përqind të fondeve, në vjedhur paratë e varrezave, ke vjedhur paratë e shkollave, ke vjedhur paratë e ndihmës ekonomike.

Kthehu se do të të kthejmë ashtu siç nuk ta pret mendja. Nuk ka forcë në botë që të na e marrë ne fitoren nga duart. Fitorja është e jona, mjerë ti. Mos provoko bashkinë. Erion, ke afat 48 orë, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Mos mendo Erion se do të të mbrojë Dumani ty. Dumani të mbrojti gjer sot Erion. Por sot fjalën e kanë qytetarët", tha Berisha.

Në vijim Berisha kishte një mesazh direkt për Veliajn e po ashtu për Ramën: "Erion, 48 orë ke. Dorëhiqu dhe mos guxo të kërkosh azil politik në ambasada se nga Shqipëria nuk do dalësh kurrë. Mos guxo! Ndaj dhe jep dorëheqjen se je unik në botë o faqezi me modelin 100 përqind të vjedhjeve. Po ku do shkosh ti mor? Po nuk të fal kurrë opozita ty mor!

Erion, ti beson se të mbron Edi Rama. Mos u bëj budalla, po Edi Rama sot shiti edhe Olsin. E dëgjuat apo jo, Olsi Xibraka nga më i pafajshëm që ishte, doli çështje personale Xibraka e Olsit.

Jo, Edi jo! Nuk është personale o Ediskobar, është familjare gjer në palcë. Dhe të garantoj se pas Erionit, radhën e ke ti dhe nuk ka forcë në botë që të të shpëtojë". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd