Transmetuar më 24-04-2024, 21:20

Zgjedhjet në Partinë e Lirisë (ish-LSI) kanë hapur garën për president të kësaj partie. Faik Basha është rivali i parë kundër Ilir Metës, për postin e Presidentit të Partisë së Lirisë.

Basha, nëpërmjet një postimi në mediat sociale shpalli sot kandidimin 3 tij për President të PL-së për zgjedhjet që pritet të zhvillohen më 27 prill në Konventën Kombëtare të kësaj force politike.

Basha o të garojë përballë Metës, i cili aktualisht është kandidat dhe kryetar në detyrë i Partisë së Lirisë.

Basha publikoi edhe sloganin e tij të fushatës: “Guxo për Shqipërinë”.

“Unë besoj tek Partia e Lirisë, pasi kjo forcë politike është angazhuar ndër vite dhe vijon të investojë tek rinia, që janë e ardhmja e vendit tonë dhe intelektualët e ndershëm, të cilët do të rimëkëmbin vendin”, shkruan ai.

Basha thotë se është i papërfshirë në asnjë lloj skandali, ndaj kërkon që të gjithë formimin, profesionalizmin, besimin, kapacitetin, imazhin, dhe vullnetin, ta ushtroj në të mirë të Shqipërisë.

“Pavarësisht ofertave të ndryshme, për asnjë arsye nuk e braktisa detyrën dhe Atdheun, duke qëndruar stoik edhe përballë çdokujt dhe çdo gjëje që kërcënon sovranitetin e popullit shqiptar.

Arsyet se përse vendosa t’i bashkohem familjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirise ishin keqqeverisja, krimi dhe korrupsioni madhor, që ka kapluar vendin tonë nën një regjim mafioz.

Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit e thjeshtë, tashmë dëshiroj të bëhem zëri i padëgjuar i tyre dhe të jem një nga njerëzit që do të kontribuojë në avancimin e Shqipërisë, si të gjitha vendet evropiane apo edhe vendet e rajonit.”, thotë Basha.

Ilir Meta reagoi pas shpalljes së kandidaturës së Bashës. Ai tha se e përshëndet këtë kandidim pasi, shpreh “shpirtin e garës”.

“E përshëndes për shpirtin e garës, shpirtin e garës e kemi të lindur. Sa më të fortë i kemi konkurrentët, aq më të mirë bëhemi. Do të fitojmë pa doping”, tha Meta.

Faik Nezir Basha është anëtar i Kryesisë së Partisë së Lirisë dhe kryetar i Partisë së Lirisë në bashkinë e Kamzës. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2009, pranë Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Për 6 vite (2009-2015) ka kryer detyra të ndryshme në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si specialist i Mjeteve të Transportit, Tankeve dhe TRBL, shef i Zyrës së Informacionit në Brigadën Logjistike dhe Komandant i Kompanisë së Ruajtjes dhe Sigurisë në Batalionin e Xhenios.

Në viti 2020 iu bashkua “Lëvizjes Socialiste për Integrim”, sot Partia e Lirisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ishte kandidat për deputet në qarkun e Tiranës. Kurse në zgjedhjet lokale më 14 Maj 2023, u zgjodh këshilltar i Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak të Kamzës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd