Transmetuar më 24-04-2024, 15:41

Pas lajmit se këngëtarja e muzikës popullore “Maja” ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj nga Fieri, Arben Shuaipi, ka reaguar ky i fundit duke hedhur poshtë të gjithë versionin e servirur si raportim gazetaresk nga disa media online.

Gjatë një bisede telefonike biznesmeni Arben Shuaipi, thotë se ai prej disa vite jeton dhe punon në Itali si arkitekt dhe s’ka asnjë mundësi të dhunojë fizikisht apo psikologjikisht, ish-gruan e tij.

Sipas tij, si gjatë marrëdhënies së martesës dhe pas martesës ai kurrë nuk ka dhunuar apo qoftë të ketë prekur një fije floku të ish-bashkëshortes së tij, Fatbardha Ulbrich, e cila në Shqipëri njihet me emrin artistik “Maja”.

Biznesmeni tregon se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe s’do të ndodhi kurrë, megjithëse këngëtarja “Maja” e ka persekutuar me një seri gjyqesh civile në Gjykatën e Lartë, për divorcin dhe kujdestarinë e djalit të tyre.

“…në muajin Mars 2023, gjyqtarja Fahrije Stringa ka marrë një vendim për lëshimin e një urdhër-mbrojtje në favor të “Majës”, e cila pretendonte se unë e kisha dhunuar. Gjykata ka caktuar që unë të qëndroj 200 metra larg ish-gruas time. Së pari ky vendim është tërësisht antiligjor, pasi është marrë pa prezencën time dhe pa më dëgjuar mua si palë e paditur. Së dyti unë jam me qindra kilometra larg ish-gruas dhe jo 200 metra siç thotë gjykata, pasi jetoj në Itali ku punoj si arkitekt. S’mund të dhunoj gruan në shtëpi apo rrugëve të Tiranë, kur fizikisht nuk jam as në shtëpinë e saj dhe as në Tiranë, por në një shtet të huaj siç është italia. Ne si ish-burrë e grua na bashkon vetëm djali ynë pasi tashmë jetojmë në dimensione dhe vende të ndryshme…” – ka treguar për “Ora News”, Arben Shuaipi.

Më tej ky i fundit shton se ish-bashkëshortja i bën këto taktika juridike, për ta baltosur dhe nxirë para organeve të ligjit në Shqipëri, me qëllim krijimin e pengesave për të takuar djalin dhe më tej ka si synim të rrëmbejë pronësinë e dy vilave luksoze që ndodhen në 2 komplekse rezidenciale.

“…unë kam heshtur dhe kam menduar që konfliktin tonë familjar ta zgjidhnim me mirëkuptim dhe përmes ligjit, duke parë dhe të mirën e djalit, që është pasuria jonë më e çmuar. E gjithë lufta bëhet për djalin, dhe vilat tona që janë në komplekse rezidenciale. “Maja” mua kërkon të më nxjerrë totalisht nga pronësia e këtyre dy pasurive në Tiranë, njëherësh të më ndalojë dhe takimin me fëmijën. ”Maja”, me sa duket e këshilluar nga mendje të tjera lakmitare ka vendosur të publikojë në media një konflikt familjar tonin, vetëm me qëllimin për të më diskredituar dhe mos lejuar që unë të takoj djalin. Në Shqipëri vij vetëm për të takuar fëmijën tim, madje as gjyqet kam filluar të mos i ndjek duke ja lënë në dorë mbrojtjen avokates time…” – ka treguar Arben Shuaipi.

Ndërkohë ditën e sotme është zhvilluar seanca e radhës e përballjes gjyqësore mes çiftit Arben dhe këngëtares “Maja” në Gjykatën e Tiranës, ku gjykata i la kohë palëve që të sjellin analizat toksikologjike dhe çdo provë tjetër shkresore që ato çmojnë të nevojshme.

Ndërsa pritet që në 14 Maj 2024, pritet që të dorëzohet dhe akti i ekspertimit psikologjik i fëmijës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd