Transmetuar më 24-04-2024, 13:59

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, doli sot nga burgu i Reçit në Shkodër, pasi përfitoi nga amnistia penale.

Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të burgut ai tha: “Ishte një eksperience qe uroj mos ta provoj askush”.

Ditën e sotme, në orën 11:00 ka nisur lirimi i të burgosurve që përfitojnë nga Amnistia.

Nga ky ligj, që u miratua më 4 prill në Kuvend, përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove.

Nga kjo amnisti do të përfitojnë personat të cilëve dënimi u ka marrë formë të prerë deri në datën 31 mars 2024. Përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite. Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

Ulja e dënimit do të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd