Transmetuar më 15-04-2024, 13:58

Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës ka reaguar pas publikimeve mediatike se janë mbyllur kërkimet për naftë dhe gaz në Shpirag dhe se kompania Shell ka mbyllur punimet. Ministria thotë se kompania po përpiqet të gjejë një zgjidhje.

Sipas saj nuk ka mbyllje kërkimesh në Shpirag, pasi tashmë është vërtetuar se në të është gjetur naftë dhe gaz, por problemi qëndron në gjetjen e teknologjisë së duhur moderne për të shfrytëzuar “arin e zi” për shkak të formacionit gjeologjik të zonës.

Ministria e Infrastrukturës thotë se është zbuluar një depozitë e konsiderueshme me 225 milionë fuçi rezerve nafte e një cilësie të mirë dhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Por problemi, – thotë ajo, – është formacioni gjeologjik tejet kompleks i nëntokës së kësaj zone. Kjo kërkon adoptimin e një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, shtoi MIE, “prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme”.

Historia e Shell me arin e zi të Shqipërisë është shndërruar në një kalvar. Kanë kaluar shumë vite dhe ende nuk dihet se kur do të nxirret lënda djegëse nga nëntoka e Shpiragut.

REAGIMI I MINISTRISË

Procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut, si një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i Qeverisë Shqiptare, nisur me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone.

Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Gjithashtu testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi.

Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.

Kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar.

Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë pa asnjë mëdyshje punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd