Transmetuar më 12-04-2024, 21:06

Vdes në moshën 83-vjeçare stilisti i njohur italian i modës, Roberto Cavalli. Ai u shua në Firence pas një sëmundjeje të gjatë.

La pas gjashtë fëmijë, përfshirë më të voglin Giorgio, pak më shumë se një vjeç.

Pranë tij në orët e fundit, si në 15 vitet e fundit, ndodhej partnerja e tij, Sandra.

Roberto Cavalli ishte themeluesi i shtëpisë së modës fiorentine me të njëjtin emër.

Gjyshi i tij, Giuseppe Rossi, ishte piktor, me vepra të ekspozuara në Galerinë Uffizi në Firence.

Babai i tij, Giorgio u vra nga ushtria gjermane në 1944, i pushkatuar në komunën e Cavriglias.

Deri në moshën 20-vjeçare belbëzonte dhe kishte shumë vështirësi në përqendrim, por arriti të diplomohej në Akademinë e Firences, pasi i tillë ishte pasioni i tij për artin në fillim, pastaj fotografinë dhe në fund modën.

Në vitet ’70 ai patentoi një proces printimi në lëkurë dhe filloi të krijonte materiale të ndryshe me pëlhura dhe lëkurë.

Në vitin 1970 ai prezantoi koleksionin e tij të parë në Paris.

Ai hapi një dyqan të vogël në Saint-Tropez duke shitur xhinse të përdorura dhe të ripunuara në stilin e tij, ku pati klientë edhe Brigitte Bardot dhe Mick Jagger.

Dhe këtu filloi suksesi i tij, me shumë ulje dhe ngritje dhe asnjëherë në mes.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd