Transmetuar më 12-04-2024, 15:25

PARIS- Kryeministri Edi Rama është pritur me ceremoni zyrtare nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Rama ndodhet në Francë në kuadër të një vizite dy ditore me ftesë të Macron.

Nga pamjet e ndara në rrjetin e tij social, Rama është pritur me ceremoni në pallatin Elysee ku më pas do të ketë një takim me Macron. Në orën 14:45, Rama dhe Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Gjatë vizitës në Paris, kreu i qeverisë do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara, kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Axhenda do të vijojë në orën 16:00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd