Transmetuar më 12-03-2024, 18:02

Që në lashtësi, Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verorkave (ose veroreve).

Nëse i referohemi "Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe" (viti 1980, faqe 2135), verorka ishte një lloj byzylyku i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë).

Por, siç shkruan Faik Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve.

Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, medemek për të sjellë fat. Kjo vazhdon të bëhet edhe në Tiranë e gjetkë.

Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme.

Etnologu Bernardin Palaj, njohës i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës.

Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi.

“Dita e Verës e qytetit të Elbasanit mbetet festë unikale, vetëm e vetëm e kësaj treve, një rit që kremtohet sipas kodit tradicional, me zakone e norma të veçanta, me këngë motmoti, me formula e dogma, që vinin nga shekujt iliro-arbëreshë”, shkruan shkrimtari elbasanas Hyjni Ceka.

Si festohej dikur në Elbasan

Dita e verës festohej në Elbasan me ëmbëlsira, arra e pala fiku. Nëpër fshatra në këtë ditë dilnin për gjueti në zonat më të afërta të rinjtë e të moshuarit. Njerëz nga qytete të tjera vijnë për të festuar në Elbasan.

Populli i Elbasanit harxhonte shumë për këtë festë. Në këtë ditë përgatiten: ballokume, ravani, pala fiku, arra, theret pulë a gjeldeti,  etj. Caktohet një pjesë e tyre, që do t’u shpërndahet miqve, shokëve, të afërmve, të varfërve etj dhe në 14 Mars allafranga ose 1 Mars allaturka shpërndahen duke uruar: "Për shumë vjet!".

Në mëngjesin e Ditës së Verës të gjithë dilnin për të festuar jashtë qytetit. Vendet e preferuara ishin: Krasta e Madhe, Tepja e Zaranikës, Çarja e Stringës, Ullini i Qefit, Rrapi i Mansit, Bysheku, Teferiçi, etj.

Gjithë ditën festohet, hahet, pihet e këndohet dhe festa përfundon atëherë kur perëndon dielli. Kur ishin duke festuar ndodhte edhe që të zbraznin pushkën. Disa grupe që mblidheshin për të festuar merrnin edhe orkestra popullore ose këngëtarë.

Shpesh grupet që ishin duke festuar në të njëjtin vend, shkonin e uronin njëri – tjetrin: "Për shumë vjet këndofshi e vallëzofshi!" – "Me gjithë ju!" ishte përgjigja e urimit. Kjo ishte mënyra e festimit të Ditës së Verës vite më parë në qytetin tonë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd