Transmetuar më 06-03-2024, 09:03

Një burrë 62 vjeçar në Gjermani u vaksinua kundër Covid 217 herë, përkundër këshillave mjekësore, por studiuesit nga Universiteti i Erlangen-Nurnberg pohojnë se kjo sasi imunizimi nuk e dëmtoi atë.

Burri u vaksinua privatisht brenda 29 muajve dhe ky rast u regjistrua në revistën mjekësore "The Lancet Infectious Diseases", raporton noa.al duke cituar BBC.

Dr. Kilian Schober, nga departamenti i mikrobiologjisë i Universitetit të Erlangen-Nurnberg, kontaktoi burrin për të testuar pështymën, si dhe mostra të gjakut të tij.

"Morëm mostra gjaku kur burri bëri vaksinime të vazhdueshme. Kjo ndodhi gjatë studimit që u realizua me insistimin e tij. Ne ishim në gjendje t’i përdornim këto mostra për të përcaktuar saktësisht se si sistemi imunitar reagon ndaj vaksinimit," tha Schober.

Dr. Schober ishte i shqetësuar se hiperstimulimi i sistemit imunitar, i cili përmes vaksinimit njeh dhe lufton kundër Covid-it, mund të lodhte disa qeliza me doza të përsëritura.

Por studiuesit nuk gjetën asnjë provë për këtë tek 62-vjeçari, i cili doli de as nuk kishte ndonjë tregues se kishte vuajtur ndonjëherë nga virusi.

Studiuesit theksuan se ata nuk e mbështesin hipervaksinimin si një strategji për të rritur imunitetin adaptiv.

Ata vunë në dukje edhe faktin se rezultatet e testeve të tyre mbi 62-vjeçaren ishin të pamjaftueshme për të nxjerrë përfundime dhe rekomandime të gjera për publikun e gjerë.

"Kërkimet aktuale tregojnë se tre doza të vaksinimit, së bashku me injeksione të rregullta përforcuese për grupet vulnerabël, mbeten qasja optimale," thuhet në faqen e internetit të universitetit gjerman. /noa.al

Vaksina AstraZeneca – Foto: Reuters

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd