Transmetuar më 21-02-2024, 20:49

Menjëherë pasi u kthye nga Turqia ku u prit me salltanete ceremoniale prej presidentit Erdoğan, kryeministri Edi Rama mblodhi Asamblenë e Partisë Socialiste në një takim që duket se ishte përgatitur në minutë të fundit sepse u zhvillua online.

Në këtë mbledhje përmbi dyorëshe, Rama ka shprehur pakënaqësi të shumta për nivelin e anëtarësimeve dhe numrin aktual të anëtarëve të partisë që drejton.

Ndërsa ka shifra të ndryshme për numrin e anëtarëve të PS me teserë partie – pesimistë flasin për 60 mijë dhe optimistët për gati dy herë më shumë, Rama duket se nuk beson askënd, ndaj ka kërkuar census të brendshëm.

Ai ka dhënë porosi që brenda 3 javësh të dalë numri i saktë i anëtarëve. Por njëkohësisht ka kërkuar që të shtohen këto 20 ditë sa më shumë anëtarë të rinj.

Madje ai ka vendosur dhe një normë me detyrim kur u shpreh se do 4 anëtarë të rinj për çdo celulë organizate, që praktikisht tenton të rrisë me disa mijëra numrin e anëtarëve socialistë. Për më tepër, Rama ka kërkuar raportim nga çdo drejtues lokal i PS deri dhe për çështje familjare të individëve:

“Asambleja dhe drejtuesit e qarqeve të punojnë për të rritur me 4 anëtarë për çdo celulë organizatë. Të punohet sikur do ketë zgjedhje më 15 mars. Të gjitha strukturat të shkojnë te njerëzit, të bëjnë inventar për çdo familje dhe për problematikat që kanë", – ishin kërkesat e Ramës ndaj krerëve lokalë të PS.

Por a do të shërbejnë raportimet që po bëjnë drejtuesit e qarqeve për të çuar më pas edhe në ndryshimet e tyre në bazë të përformancës. A do të ketë ndryshime?

Edi Rama foli për erë ndryshimesh në PS:  "Ndryshimet janë pjesë e jetës së Partisë Socialiste, dhe prandaj Partia Socialiste është parti fituese, sepse nuk pret ta ndryshojnë të tjerët, por ndryshon vetveten, tha Rama duke shtuar se ky nuk është qëllim në vetvete. /noa.al

Komunikimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PSSH pas mbledhjes së drejtuesve politikë dhe diskutimit online me Asamblenë Kombëtare

Kryeministri Edi Rama: Fjala ime këtu është vetëm për respektin tuaj që rrini në të ftohtë. Ju kam thënë doni të dini më shumë se çfarë bëjnë më mbledhjet e mbyllura të Partisë Socialiste ju kam thënë, anëtarësohuni në Partinë Socialiste dhe futjuni aktivizimit politik në Partinë Socialiste, ndryshe, çfarë t’ju them unë.

-A jeni dobët me anëtarësimet për shkak të largimeve masive nga vendi?

Kryeministri Edi Rama:  Jemi me anëtarësimet besoj shumë më mirë se çfarë disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin, tani jemi në fazën e dytë, siç e vendosëm në Asamblenë Kombëtare që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja dhe për adresimin e balancës gjinore në disa zona, në disa organizata në çdo qark që ka probleme me balancat gjinore.

-Kush janë qarqet problematike zoti Rama?

Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të them qarqe problematike, por pika të caktuara që janë kryesisht në zona rurale ku duhet bërë pak më shumë punë për të garantuar një pjesëmarrje më të balancuar mes burrave dhe grave dhe djemve e vajzave.

-A do të shërbejnë këto raportime që po bëjnë drejtuesit e qarqeve për të çuar më pas edhe në ndryshimet e tyre në bazë të përformancës. A do të ketë ndryshime?

Kryeministri Edi Rama:  Ndryshimet janë pjesë e jetës së Partisë Socialiste, dhe prandaj Partia Socialiste është parti fituese, sepse nuk pret ta ndryshojnë të tjerët, por ndryshon vetveten. Por ky nuk është qëllim në vetvete, sepse unë shoh një angazhim pozitiv edhe nga raportimet e sotme është e qartë që angazhimi është pozitiv, plus që sistemi ynë, i cili ka një komponent gjithmonë e më të zhvilluar digjital është një sistem që ka pasqyra, të cilat flasin vetë si të thuash, dhe nuk është thjeshtë se çfarë raporton njëri apo tjetri me fjalë, por janë pasqyra të verifikueshme të anëtarësisë, të takimeve, të boshllëqeve e kështu me radhë.

-Në zonën tuaj në Durrës do të angazhoheni personalisht me anëtarësimet e reja?

Kryeministri Edi Rama: Normalisht, ndarja e punës, se të gjithë anëtarët e Asamblesë – ka një mesatare prej 10 organizatash, kështu që edhe unë do të kem organizatat e mia. Por duke qenë një proces kombëtar ky, do t’i kem takimet e organizatave të ndara sipas qarqeve. Kështu që, po do të jem në të gjitha qarqet, do të marr pjesë në mbledhjet e organizatave.

-A kishit ndonjë kritikë specifike për ndonjë anëtar të deleguar të mbledhjes që patët sot më qarqe të caktuara? Dhe pyetja e dytë. A ju impakton organizimi i opozitës në krahun tjetër meqë kishte dhe një protestë dje. 

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam informacion për organizim të opozitës, nuk e ndjek opozitën sepse s’kam asnjë interes dhe asnjë arsye për hir të vërtetës që të jem i vëmendshëm se çfarë bën ajo që ju e quani opozitë.

-Keni interes që nuk ka jetë normale parlamentare Shqipëria prej më shumë se tre muajsh dhe votohen ligjet brenda dy minutash, buxheti apo ligje të tjera të rëndësishme? 

Kryeministri Edi Rama: Sikur të paktën të respektosh kolegët që pyesin, ta marrin përgjigjen kolegët, pastaj patjetër do ta marrësh edhe ti përgjigjen. Faleminderit.

Pra ajo që po përpiqesha të thosha është që ne nuk kemi një problem sot për sot as me kritikat as me vetëkritikën sepse në Asamblenë e Përgjithshme që u zhvillua disa ditë më parë dhe ju ndoqët ka pasur plot kritika dhe vetëkritika. Sot ishte dita për të reflektuar mbi to dhe për të vazhduar punën. Reflektimi ka qenë shumë pozitiv nga të gjithë sepse është edhe çështje natyre, është dhe çështje  mobilizimi me të gjithë trupën, kështu që ka lojtarë që hyjnë menjëherë në lojë, ka lojtarë që duan pak nxemje, ka lojtarë që kanë ritmet e tyre, por ajo që është e rëndësishme është që e gjithë skuadra është shumë e motivuar dhe padisktim ne nuk kemi asnjë problem serioz me këtë fazë. Përsa i përket pastaj do të thosha për opozitën, ju që thoni opozita në fakt nuk është opozita janë konglomerate, grupe dhe realisht nuk kam asnjë.

–           Janë konglomerate dhe grupe që dje kanë mbledhur një numër të konsiderueshëm njerëzish në shesh dhe kërkojnë përfaqësinë e tyre në komisionin e reformës zgjedhore apo kërkojnë të drejtën e tyre për komisionet hetimore. Tani duke qenë se Shqipëria ka një fazë të rëndësishme për çeljen e negociatave është serioze për një parlament që mos të bëjë jetë normale parlamentare prej më shumë se tre muajsh, ligjet kalojnë në një kohë shumë të shkurtër, pa u diskutuar?

Kryeministri Edi Rama: Ligjet kalojnë në një kohë shumë të shkurtër sepse nuk ka në sallë kushte për t’i kaluar në një kohë të gjatë. Në momentin që salla krijon kushte për t’i kaluar në një kohë të gjatë, ligjet do të kalojnë në një kohë të gjatë, domethënë në kohën e nevojshme për të debatuar për tu ballafaquar po përsa kohë nuk ka kushte normale që nuk vijnë nga ne, për aq kohë ligjet do të kalojnë ashtu siç kalojnë sepse ligjet nuk i pengon dot askush.

A do të hidhet në votim aministia penale nesër?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në dijeni në këtë moment të agjendës nesër të Parlamentit sepse juve jeni të lirë të mos e besoni po ne i kemi punët e ndara. Unë jam në Parlament një deputet që shkoj dhe ndjek çfarë është përgatitur. Ndërkohë që nuk e di se si është agjenda nesër. Di vetëm faktin që është bërë një diskutim mbi një keqkuptim total që është krijuar, për ta thënë me fjalë të buta dhe është adresuar menjëherë sot nga ministri i Drejtësisë ashtu sikundër është adresuar dhe në Komisionin e Ligjeve.

Lulzim Basha deklaroi se nuk do të jepte votat..

Kryeministri Edi Rama: Kush është ky?

Lulzim Basha deklaroi se nuk do të jepte votat për amnistinë..

Kryeministri Edi Rama: Në çfarë ore e tha? Sa ishte ora?

Paraditen e sotme.   

Kryeministri Edi Rama: Sa ishte ora? Ka qenë akoma përgjumësh!

-Në vizitën e shkuar që keni bërë në Turqi, një vit pas asaj vizite pasi presidenti Erdogan iu kërkoi që të merrnit masa ndaj strukturave të Feto-s në Shqipëri, pas një viti u mbyllën dy institucione arsimore ku diskutoheshin që ishin njerëz të Feto-s ata që i kishin këto institucione. Këtë herë që ai sërish ju ka kërkuar që të ndërhyni për ata persona të Feto-s në vendin tonë, do të ketë masa të tjera si ato që pamë?

Kryeministri Edi Rama: Shifrat i keni komplet të pasakta. Në Shqipëri janë mbyllur më shumë se kaq dhe janë mbyllur në bazë të ligjieve dhe në bazë të rregullave që ka Republika e Shqipërisë. Janë mbyllur institucione të cilat mund t’i quani ju kështu ose mund t’i quajnë të tjerët ashtu, janë mbyllur institucione që nuk kanë qenë në përputhje me ligjin e Republikës së Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të mbyllen ato institucione që nuk janë në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë kudo qofshin, të kujtdo qofshin edhe kushdo qoftë që iu del për zot, iu del në mbrojtje apo iu vë etiketa të caktuara.

Do ta aktivizoni sistemin e patronazhimit?

Kryeministri Ei Rama: Sistemi i patronazhimit është aktiv edhe kur ju flini, jo më kur fle opozita që jemi aktivë edhe ne të tjerët që s’jemi patronazhistë.

Edhe një pyetje tjetër, Charles McGonigal është dënuar me 28 muaj burg disa ditë më parë për shkak se u provua që ndryshe nga edhe çfarë ju keni thënë; paratë që Agron Neza, 225 mijë euro që Agron Neza ka çuar, nuk kanë qenë si një borxh që ai ia ka dhënë Charles McGonigal, por kanë shërbyer për të bërë lidhje me zyrtarë të huaj dhe një nga ata zyrtarë të huaj, jeni edhe ju. A mendoni se do të hetoheni për këtë çështje sepse në Amerikë Charles McGonigal është dënuar sepse është korruptuar në një farë mënyre nga kryeministri i Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama: Pjesa më argëtuese e imja me ju, e di kush është? Kur vini në gojën time gjëra që s’i kam thënë dhe…

Ju e keni thënë në emisionin ‘’Opinion’’ që ato para janë dhënë borxh mes një miku …

Kryeministri Edi Rama: Mos më ndërprit.

Po përderisa unë ju citoj saktë edhe e  konfirmoj atë që them. Dhe keni thënë në emisionin “Opinion’’ që ato para janë dhënë për borxh.

Kryeministri Edi Rama: Unë në prononcimet e mia lidhur me këtë çështje i jam referuar pikë për pikë çfarë është thënë në dokumentet zyrtare në SHBA sepse unë vetë s’kam pasur as lidhje dhe as dijeni lidhur me çfarë kanë publikuar zyrtarisht institucionet e SHBA.

Prokurorja në Amerikë thotë se këto para janë dhënë për të krijuar kontakte dhe lidhje me zyrtarë shqiptarë. Ju keni qenë një nga zyrtarët që e keni takuar Charles McGonigal. 

Kryeministri Edi Rama: E kam takuar dhe do e takoja sa herë të kthehesha prapa sepse unë në takimet e mia jam kryeministër i Shqipërisë dhe vlerësoj se në të gjitha rastet kur më kërkohet takim nga zyrtarë amerikanë, evropianë apo të vendeve aleate, jam gjithmonë i gatshëm t’i pres.

Ai është dënuar për ato takime se s’kanë qenë takime zyrtare, kanë qenë takime të fshehta.

Kryeministri Edi Rama: Shiko, duhet ta pranoni që tek kjo çështje ia keni futur kot.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd