Transmetuar më 20-02-2024, 07:24

Protesta e 20 shkurtit e opozitës, do të nxjerrë në terren mbi një mijë forca policie, të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Skuadrat Shqiponja, forcat RENEA dhe Gardën e Republikës.

Demokratët kanë thirrur popullin për pjesënarrje masive pasi sipas tyre duhet t’i jepet fund regjimit autokrat që ka krijuar kryeministri Rama.

Qeveria duket se e ka marrë seriozisht këtë protestë e cila për herë të parë bëhet pa praninë fizike të Sali Berishës i cili ndodhet nën arrest shtëpie.

Po ashtu mungon edhe kryeministri. Ai ka shkuar në Turqi për t’u takuar me Erdoganin, i cili drejton vendin prej tashmë dekadash.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, në kuadër të vizitës, në Ankara do të zhvillohet takimi i parë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Shqipëri, nën kryesimin e Erdoğanit dhe Ramës.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla duket se do të jetë i vetëm në këtë përpjekje të opozitës për ta rrëzuar pushtetin 11 vjeçar të socialistëve.

Balla e ka për herë të parë një protestë kombëtare qyshse u bë ministër i Brendshëm dhe ky 20 shkurt është një demonstrim i kombinuar force që Balla e sheh si sfidë.

Forcat policore do të jenë të pajisura mirë këtë pasdite. Në dispozicion do të jenë autobotë me ujë, kuptohet në gatishmëri pritet të jenë dhe pajime të tjera që përfshijnë gazin lotsjellës nëse demonstruesit përfshihen në incidente të dhunshme që kanë ndodhur disa herë vitet e fundit kur PD e drejtonte Lulzim Basha.

Kryeministria që nga mbrëmë ka përfunduar blindimin. Dyert janë veshur me hekur dhe brenda godinës ka barriera të tjera përfshirë shumë forca brenda e jashtë institucionit.

Që nga ora 15, shumë rrugë të Tiranës do të bllokohen për qarkullimin e automjeteve. Bëhet e ditur se ky bllokim do të vazhdojë derisa të marrë fund protesta.

Demokratët kanë paralajmëruar se protestës i dihet vetëm fillimi, sot në orën 17.30, por sipas tyre nuk i dihet fundi. Në fakt. Për herë të parë tubimi opozitar zhvillohet pa praninë e liderit Sali Berisha dhe organizimi i është lënë në dorë edhe vetë qytetarëve.

Mbetet të shohim si do të precipitojë ajo. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd