Transmetuar më 15-01-2024, 12:10

SPANJA- Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, në një intervistë për mediat në Spanjë, rithekson se njohja e pasaportës së Kosovës nuk nënkupton edhe njohjen e pavarësisë. Ai deklaroi se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duke shtuar se nuk do të jetë as pengesë për afrimin mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian.

“Edhe Spanja duhet të përshtatet ashtu si pjesa tjetër e shteteve që nuk e njohin. Prandaj, filluam të pranojmë pasaportat kosovare. Edhe një herë them se kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës apo sovranitetit të saj. Ne jemi pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e njohim Kosovën dhe të pestat i pranojmë pasaportat e tyre”, thotë ministri.

Ministri shton se nuk mund të bëjnë se nuk ekziston Kosova, pasi që është territor brenda Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu merr pjesë në samitet e organizuara nga Bashkimi Evropian.

“Nuk mund të pretendojmë se nuk ekziston. Por kjo nuk do të thotë se ne e njohim sovranitetin e saj”, thotë ndër tjera ministri.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd