Transmetuar më 12-11-2023, 22:08

Kosova është duke u përballur me Izraelin këtë mbrëmje në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024 nën masa të rrepta sigurie në Prishtinë, e cila është e para për kombëtare izaelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor.

Autoritetet kosovare i rritën masat e sigurisë prej kur futbollistët izraelitë mbërritën në Kosovë të premten dhe i shtoi ato në ditën e ndeshjes të dielën, duke bllokuar rrugët përreth stadiumit Fadil Vokrri dhe duke kryer kontrolle të rrepta për tifozët me bileta. Ajo njoftoi se do të ndalohet “çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.”

Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi luftëtarët e grupit radikal palestinez i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.

Një numër shumë i vogël i tifozëve shkuan në Stadiumin Fadil Vokrri, i cili zë 14 mijë tifozë, për ta parë këtë ndeshje, që është e pazakontë duke e ditur përkrahjen që ekipi kombëtar dardan gëzon kur luan në shtëpi. Por, forma e dobët e kombëtares dhe moti i keq, si dhe rrethanat në të cilat po zhvillohet ajo mund të kenë ndikuar.

Pak orë para ndeshjes, një slogan i madh me mbishkrimin “Free Palestine”, apo në shqip “Liri për Palestinën”, u vendos në ndërtesën e Hotelit Grand në qendër të qytetit pranë një flamuri ukrainas nga grupi aktivist Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist – por u hoq shpejt.

Disa ditë para kësaj ndeshjeje, një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, por Policia e hodhi poshtë kërkesën e tyre për shkaqe sigurie.

Trajneri dhe kapiteni i Izraelit thanë të shtunën se ekipi kombëtar i Izraelit ndihet i “sigurt dhe i rehatshëm” në Kosovë. Kosova pothuajse pa gjasa për Euro 2024 Kosova është pothuajse e pashpresë në përpjekjet e saj për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar, prej pranimit të saj në FIFA dhe UEFA më 2016.

Verdhekaltrit kanë ngelur shumë mbrapa rivalëve në garë për Kampionatin Evropian 2024, i cili mbahet në Gjermani verën e ardhshme, megjithëse matematikisht ende në lojë.

Kosova është e katërta në Grupin I kualifikues me shtatë pikë, nëntë dhe tetë pikë larg dy vendeve të para në grup që çojnë në Euro 2024, të cilat mbahen nga Rumania dhe Zvicra, përkatësisht.

Në këtë ndeshje, kombëtares kosovare i mungojnë disa lojtarë kyçë, si kapiteni Amir Rrahmani dhe sulmuesi Edon Zhegrova.

Derisa Kosova pothuajse nuk ka për çfarë të luajë, Izraeli ka shumë arsye për fitore. Jo vetëm që është në lojë për kualifikim, por ajo dëshiron fitore edhe për izraelitët në atdhe, midis luftës së vazhdueshme mes vendit të tyre dhe Hamasit. Izraeli ka 11 pikë, katër larg vendit që dërgon në Euro 2024.

I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë të shtunën nëse kjo ndeshje është barrë për ta, trajneri i Izraelit Alon Hazan e cilësoi atë si mundësi për t’i bërë izraelitët në atdhe të lumtur në një kohë të vështirë lufte.

“Kjo nuk është barrë për ne, ne e dimë se çfarë po përfaqësojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje dhe të sjellim gëzim te populli ynë. Kjo nuk është diçka që mund ta ndaloj ekipin kombëtar, duhet të jetë diçka që i frymëzon lojtarët”, tha Hazan.

Fotot: REL