Transmetuar më 29-09-2023, 12:25

Tiranë, 29 Shtator 2023 /noa.al – Një suedez është zbuluar nga autoritetet shqiptare si autor i trafikimit për prostitucion të një vajze, gjithashtu e huaj, raporton noa.al.

Operacioni policor i koduar “False”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Rinas, çoi sot në prangosjen e 42-vjeçarit Said Osman, shtetas suedez, që ndihmoi një shtetase tajlandeze, që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, duke i siguruar asaj, dokumente identifikimi të falsifikuara.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari do ta trafikonte këtë shtetase, në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.

Siç shihni në foto, në aksionin policor u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara si të falsifikuara, që sipas hetimit, 42-vjeçari ia jepte shtetasve të ndryshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin.

"42-vjeçari i ka siguruar dokumente të dyshuara të falsifikuara një shtetaseje tajlandeze 26 vjeçe, me të cilën ka udhëtuar nga Turqia drejt Shqipërisë", tha zyrtarisht policia e Tiranës.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 42-vjeçari i kishte siguruar dokumentet e falsifikuara kësaj shtetasje, me qëllim për ta trafikuar në Suedi, për ta shfrytëzuar për prostitucion.

Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 42-vjeçari iu siguronte dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, edhe shtetasve të tjerë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete identifikimi të shtetësive të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /noa.al