Transmetuar më 22-09-2023, 07:40

Rastet me COVID në vend janë rritur ndjeshëm në javët e fundit, por Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se nuk ka vend për panik.

Tomini thotë se varianti që po qarkullon, nuk ka të njëjtin agresivitet si virusi në vitin 2020 sepse tani kemi vaksinimin dhe imunitetin natyror.

“Në dy javët e fundit që flasim kemi një incidencë më të lartë të rasteve pozitive. Kemi rreth 1100-1200 raste në javë.

Nuk krahasohet varianti Omicron dhe nënvariantet e tij që kanë të njëjtën transmetueshmëri, por jo të njëjtin agresivitet. Nuk flasim dot ecurinë e rasteve me vitin 2020 sepse kemi vaksinimin dhe imunitetin natyror”, tha Tomini në një intervistë në rtsh.

Drejtoresha e ISHP-së i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, ndërsa shtoi se çdokush mund të aplikojë një dozë kujtese në çdo qendër shëndetësore në vend.

“Vaksina është efikase, falas për të gjithë popullatën, kushdo që do të vaksinohet mund ta bëjë në çdo në qendër shëndetësore me një dozë kujtese.

E rëndësishme është ta aplikojmë një dozë kujtese sepse vaksina e COVID të mbron, të jep një imunitet dhe zbeh format e rënda të sëmundjes.

Çdo moshë mund të paraqitet në qendrat shëndetësore për një vaksinë kujtese.

Vaksinimi nuk do të thotë që nuk do të prekemi, por që nuk do kemi forma të rënda. Ju lutem vaksinohuni kundër COVID-19, gjendet falas në çdo qendër shëndetësore”, u shpreh Tomini.